Banka e Këshillit të Evropës për Zhvillim (CEB) ka njoftuar të premten miratimin e një huaje shtesë prej 25 milionë eurove për Kosovën, për ta ndihmuar në emergjencën mjekësore.
Fondet do të shkojnë për të mbështetur përpjekjet e autoriteteve për blerjen e vaksinave kundër koronavirusit.
“Kosova do të marrë vaksina për 20% të popullsisë nga Gavi COVAX Facility. Kredia CEB do të bashkëfinancojë blerjen e vaksinave COVID-19 për një tjetër 50% të popullsisë,” thuhet në njoftim.
Interesi i këtij financimi do të mbulohet nga Llogaria e Dividentit Social e Bankës.
Kredia e re i shtohet marrëveshjes së financimit prej 35 milion € të nënshkruar në gusht 2020, e cila mbuloi një pjesë të kostove të kujdesit shëndetësor të Kosovës.
Huaja e re do të mbulojë edhe koston e shpërndarjes së vaksinave dhe pajisjeve mjekësore.
Guvernatori i Bankës, Rolf Wenzel, u shpreh: “Jemi të kënaqur që jemi në gjendje të vazhdojmë të mbështesim përgjigjen e Kosovës ndaj pandemisë COVID-19, së bashku me BE-në, FMN-në dhe Bankën Botërore. Në përputhje me mandatin e saj ekskluzivisht shoqëror, Banka do të luajë rolin e saj në adresimin e aksesit të pabarabartë të vaksinave COVID-19 në të gjithë vendet e saj anëtare.”
Kosova iu bashkua Bankës së Këshillit të Evropës për Zhvillim në nëntor 2013.