Kosovë, e mbijetura nga dhuna seksuale gjatë luftës kandidate për deputete

Nga Die Morina van Uijtregt
Kosovë, e mbijetura nga dhuna seksuale gjatë luftës kandidate për deputete

Vasfije Krasniqi-Goodman, një prej të mbijetuarava nga dhuna seksuale gjatë luftës, do të kandidojë në zgjedhjet e 14 shkurtit me Lëvizjen Vetëvendosje.

Lajmi është konfirmuar nga vëllai i saj në një deklaratë për KosovaPress:

“Po, Vasfija do të jetë kandidate për deputete në listën e LVV-së. Ajo do të ketë numrin 4. Por nuk aderon në partinë e Albin Kurtit, e as do të jetë me Vjosa Osmanin.”

Gjithashtu lajmin e konfirmoi dhe ajo vetë nëpërmjet një postimi në Facebook:

“Përfaqësimi i një kategorie të tillë në tempullin e demokracisë do të jetë sfid dhe nder për mua, sfidë sepse kërkon sforcim shpirtëror e emocinal, e nder sepse përmes këtij përfaqësimi unë do të punoi me dëshirën ma t’madhe, dhe ju e dini përse!

Këtë garë unë kam vendosur ta bëj duke hyrë në listën e kandidatëve për deputet në subjektit Vetëvendosje.”

Vasfije Krasniqi-Goodman njihet si një prej zërave të grave të dhunuara seksualisht gjatë luftës në Kosovë.

Në vitin 2018 Krasniqi Goodman u bë gruaja e parë e cila theu heshtjen pa fshehur identitetin dhe ndau publikisht historinë, se si u përdhunua nga dy policë serb gjatë luftës. Ajo ishte vetëm 16 vjeç në atë kohë.

Dy policët u shpallën të pafajshëm nga Gjykata e Lartë e Kosovës në 2014

Në 2019 Krasniqi Goodman, qytetare amerikane, i bëri thirrje Uashingtonit të punojë më shumë për të bërë Serbinë përgjegjëse për krimet që forcat e saj kanë kryer në Kosovë, siç dëshmoi ajo në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SH.B.A.

Rreth 20,000 shqiptarë të Kosovës besohet se janë përdhunuar nga forcat serbe gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Duke folur publikisht për përvojën e saj, Krasniqi Goodman mori një mbështetje masive nga shoqëria, e parë si një inkurajim për viktimat e tjera për të treguar historinë e tyre. Mijëra viktima ende jetojnë në heshtje nga frika e stigmatizimit.

Qytetarët e Kosovës i referohen asaj si një “heroinë” për forcën për të ndarë të vërtetën e saj dhe për të mbështetur viktimat e tjera.

Ndërsa në Prishtinë, “Heroinat” është një monument që qëndron për të nderuar të gjitha viktimat seksuale të luftës.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme