Ish-ministri i Brendshëm Agim Veliu, i shkarkuar dje nga kryeministri Kurti, e akuzon këtë të fundit se ka gënyer qytetarët për arsyen e vërtetë të shkarkimit të tij.
Zoti Veliu, i cili është edhe nënkryetar i LDK-së, deklaroi në televizionin RTK se shkaku i vërtetë i shkarkimit është inati personal që Kurti ka mbledhur kundër Veliut:
“Kryeministri e ka gënjyer publikun me arsyen e shkarkimit tim, jam shkarkuar për shkak të mllefit qe ka e ka personalisht ndaj meje. Mllefi që iu është akumuluar me kohë, Albin Kurtit ndaj meje, ndoshta i ndihmuar ky mllef nga një mik apo mikeshë e tij.”
Ai u shpreh se shkarkimi i tij nga detyra është përpjekje e Kurtit për të hequr vëmendjen nga probleme të tjera që ka vendi aktulisht, qoftë me përhapjen e koronavirusit apo me përplasjet me SHBA-në për tarifat ndaj Serbisë.
Zoti Veliu njoftoi se sot LDK do të nisë mbledhjen e firmave të deputetëve për një mocion mosbesimi në parlament kundër Kryeministrit Albin Kurti:
“Do të mblidhemi në organet tona që të vendosim çka do të veprojmë më tutje, besoj që mbledhja e nënshkrimeve do të ndodhë sot gjatë ditës. Edhe në momentin kur kompletohet kërkesat ajo do të procedohet më tutje.”
Dje në mesditë, kryeministri Kurti shkarkoi nga detyra Agim Veliun, ministrin e Punëve të Brendshme për shkak të mospajtimit me qendrimin e qeverisë Kurti se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë është masë ekstreme.
Në njoftimin për shtyp shkruhej se arsyeja e shkarkimit të Veliut është se “u deklarua kundër qëndrimit të kryeministrit mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme” për shkak të situatës me koronavirusin dhe se Veliu ka përhapur panik, duke thënë se “numri i të prekurve po rritet prej ore në orë”.
Qeveria Kurti erdhi në pushtet rreth një muaj më parë dhe votimi për këtë mocion mosbesimi mund të shënojë fundin e saj. Nuk është ende e qartë se kur mund të paraqitet mocioni i LDK-së dhe kur mund të bëhet votimi.