Sipas gazetës kosovare Indeksonline, muri i paligjshëm i ndërtuar nga serbët në veri të Mitrovicës do të shembet me 4 ose 5 shkurt. Përfaqësues të qeverisë së Kosovës dhe të serbëve të Mitrovicës Veriore, në koordinim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe BE-në, kanë firmosur përfundimisht nënshkrimin për rrënimin e tij.
Indeksonline ka siguruar dokumentin në të cilin parashikohet shembja e këtij muri ilegal. Firmosjen për largimin e tij e kanë bërë serbët e veriut, respektivisht kryetari Goran Rakiq dhe Branimir Stojanoviq. Ndër të tjera, në marrëveshje shkruhet se palët kanë rënë dakord për heqjen e strukturës ekzistuese dhe zbatimin e një projekti të ardhshëm.
“Me 4 ose 5 shkurt duhet të rrënohet objekti. Të dielën do të bëhet largimi i strukturës ekzistuese”, thuhet në vendimin e nënshkruar në orën dy pasmesnate.
Gjithashtu, sot do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut, i cili do të diskutojë vetëm për çështjen e murit.