Prokurori i specializuar i ka bërë thirrje viktimave të prekura nga krimet e “pretenduara që përfshihen në aktakuzën”, kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit, dhe Selimit të bëjnë kërkesë për pjesmarrje në procesin gjyqësor.
Sipas njoftimit për shtyp, më 5 nentor, “prej këtij momenti mund të bëjnë kërkesë për pjesëmarrje në proces gjyqësor, në qoftë se mund të demonstrojnë se kanë pësuar dëm personal, qoftë fizik, mendor apo material, si pasojë e drejtpërdrejtë e krimeve të pretenduara që përfshihen në aktakuzën e konfirmuar. Për miratimin e kërkesave për pjesëmarrjes në proces si viktimë, vendos një gjykatës”.
“Zëri i viktimave është jetik për drejtësinë. Përmes mbrojtësve të tyre, viktimat pjesëmarrëse mund të ushtrojnë të drejtat e tyre që u ofrohen prej kornizës sonë ligjore e cila mundëson që zëri i tyre të dëgjohet prej gjykatësve kompetentë,” tha Kryetarja Dhomave të Specializuara Ekaterina Trendafilova.
Prokurori i Specializuar i çështjes Xhek Smith tha se “krimet e pretenduara që përfshihen në aktakuzat e parashtruara nga zyra ime janë krime të rënda dhe gjatë përpjekjeve tona për realizimin e drejtësisë, nuk duhet të harrojmë vuajtjet e viktimave. Pjesëmarrja në proceset gjyqësore mund të jetë një përjetim fuqizues për viktimat dhe që mundëson dëgjimin e zërit të viktimave.”