Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka konfirmuar në detyrë prokuroren Manjola Kajana, e cila tani pritet të bëhet pjesë e SPAK-ut.
Kajana është renditur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë e teta mes 15 kandidatëve për në SPAK. Me të, numri i prokurorëve në SPAK arrin në 13.
Fillimisht ajo u konfirmua në detyrë më 18 qershor, nga trupa e KPK-së e përbërë nga Olsi Komici, Brunilda Bekteshi dhe Lulzim Hamitaj.
Por në gusht 2019, Komisioneri Publik kërkoi shkarkimin nga detyra të prokurores.
Komisioneri Publik pretendonte se në fazën e parë të vetingut nuk është bërë hetim i plotë për pasurinë e prokurores. Ai i kërkoi Kolegjit të Apelimit rihetimin e pasurisë.
Më saktësisht, KP dyshonte për mundësitë e prokurorës për të kursyer mjaftueshëm nga rroga e saj gjatë viteve, sa për të blerë një apartament me sipërfaqe 110 metër katrorë në Tiranë, me vlerë rreth 43 mijë euro.
Po ashtu, prokurorja ka deklaruar se për blerjen e këtij apartamenti ka përdorur dhe të ardhurat e bashkëshortit nga punë në një kompani private në vitet 2013-2014.
Por nga dokumentet pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore rezulton se bashkëshorti i prokurores nuk ka paguar sigurime dhe taksa për periudhën dhjetor 2012 – maj 2015.
Po ashtu, bashkëshorti i Kajanës ka aplikuar si i pastrehë për të përfituar kredi të butë nga Bashkia Fier në vitin 2012. Në këtë kohë, prokurorja Kajana ka punuar në Fier dhe ka pasur nën hetim ish-kryebashkiaku Baftjar Zeqaj dhe zyrtarë të tjerë pikërisht për abuzime të dyshuara në dhënien e kredive të buta për familjet e pastreha.
Komisioneri Publik dyshonte se bashkëshorti i Kajanës ka përfituar kredinë e butë nga bashkia me favorizime nga ana e bashkisë.
Të gjitha këto pretendime, KPA-ja i hodhi poshtë, duke konfirmuar në detyrë prokuroren Kajana.