Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) zhvilloi të martën seancën dëgjimore me anëtarin e Gjykatës së Lartë Edmond Islamaj. Seanca zgjati vetëm pak minuta ku në përfundim kryetari i trupit gjykues, Luan Daci njoftoi se seanca do të shtyhej më 22 janar.
Arsyeja e shtyrjes ishte kërkesa e KPA-së për të marrë informacion nga sistemi TIMS për udhëtimet jashtë vendit të gjyqtarit Islamaj dhe shpenzimet e kryera.
Komisioneri Publik e apeloi vendimin e KPK-së për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Islamaj në korrik të 2018. Komisioneri Publik u shpresh se “procesi i hetimit i Komisionit për kriterin e vlerësimit të pasurisë nuk është i plotë, ka mangësi dhe për rrjedhojë në gjendjen që janë aktet nuk mund të konkludohet se subjekti i rivlerësimit ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë së tij”.
Islamaj ka një karrierë të gjatë në gjyqësorin shqiptar. Ai ka qenë gjyqtar në Shkallë të Parë në Durrës dhe Krujë, Kryetar i Gjykatës së Sarandës dhe Kavajës, Kryeinspektor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe gjyqtar Apeli në Tiranë.