Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të shpallë me 11 nëntor vendimin për përjashimin ose jo nga sistemi gjyqësor të ish anëtares së Gjykatës së Lartë, Arjana Fullani.
Vendimi u mor gjatë seancës së sotme.
Ish-anëtarja e Gjykatës së Lartë, Arjana Fullani ka kërkuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të mos i hiqet statusi i magjistrates për 15 vite, siç ka vendosur KPK-ja.
Në vitin 2019, Arjana Fullani kërkoi ndërprerje të procesit të vetingut të saj pasi i kishte mbaruar statusi i anëtares së Gjykatës së Lartë dhe refuzoi të shkonte në gjykatë të Apelit. Pra ajo u dorëhoq nga çdo post në sistemin e drejtësisë.
Komisioni në vendimin e korrikut 2019 vendosi ndërprerjen e procesit dhe humbjen e të drejtës për të qënë pjesë e sistemit të drejtesisë për 15 vjet. Kjo me argumentin se Fullani ka dhënë dorëheqjen nga statusi i gjyqtares.
Fullani argumenton se ajo ka dhënë dorëheqjen para se të niste procesi i vetingut dhe kështu nuk duhet të penalizohet nga parashikimi i mësipërm.