Komisioni i Pavarur i Kuakufikimit ka anuluar seancën dëgjimore për prokurorin Bilbil Mete pas kërkesës së këtij të fundit.
Lajmin e ka bërë me dije KPK përmes një njoftimi zyrtar, ku deklaron se seanca nuk do të zhvillohet pasi prokurori Mete nuk dëshiron të dëgjohet në seancë.
”Seanca dëgjimore për subjektin e rivlerësimit z. Bilbil Mete, parashikuar për t’u mbajtur në datën 2.12.2020, ora 14:00, nuk do të zhvillohet, pasi subjekti nuk dëshiron të dëgjohet në seancë dëgjimore”, njofton KPK.
Prokurori Bilil Mete ka dhënë dorëheqjen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në 15 Tetor.
Në një reagim për BIRN, KPK ka deklaruar se në rastet kur zhvillimi i seancës bazohet mbi vullnetin e personit që do të dëgjohet në seancë, atëherë kemi të bëjmë me ndërprerje të procesit të rivlerësrimit.
“Rastet kur zhvillimi i seancës dëgjimore bazohet mbi vullnetin dhe dëshirën e subjektit të rivlerësimit, janë ato që kanë të bëjmë me ndërprerje të procesit të rivlerësimit”, tha KPK për BIRN.
Ish-prokurori Bilbil Mete ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë. Ai ka punuar për rreth 20 vite në Prokurorinë e Përgjithshme. Ai dha dorëheqjen në 15 tetor duke thënë se ka mbushur moshën e pensionit.
Megjithatë KPK ka gjetur se prokurorit i duheshin dhe dy vite për të dalë në pension. Pas kësaj, Mete ka kërkuar sërish dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë dhe KPK e pranoi kërkesën herën e dytë.