Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) konfirmoi në detyrë kandidaten për Gjykatë Kushtetuese dhe këshilltaren ligjore pranë kësaj gjykate, Elsa Toska, pavarësisht problemeve me pasurinë.
Në seancën dëgjimore zonja Toska u përball me një raport negativ të ILDKPI-së. Raporti i konstatoi se zonja Toska kishte bërë deklarim të pasaktë, deklarim të rremë dhe kishte fshehur pasurinë.
Sipas raportit, zonja Toska nuk kishte deklaruar një shumë prej 14 mijë eurosh, që ajo pretendonte se kishte ardhur nga mbyllja e biznesit të bashkëshortit. KPK ngriti dyshime për mosdeklarimin e kësaj shume, për katër vjet me rradhë.
Gjithashtu, zonja Toska nuk kishte deklaruar një hua prej 9500 eurosh, që ia kishte dhënë biznesit të bashkëshortit të saj – hua e cila i ishte kthyer, por sërish pa u deklaruar. Toska u shpreh se nuk ishte e nevojshme të deklaroheshin veprime të kryera brenda familjes.
Ndërkohë, gjatë hetimit të saj, KPK-ja vërejti dy probleme të tjera. Zonja Toska nuk kishte deklaruar një makinë dhuratë nga kunata e saj, si dhe shitjen e makinës nga ajo vetë. Problematike u konsideruan edhe përfitimet e saj nga disa projekte.
Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Genta Tafa (Bungo) dhe Lulzim Hamitaj.