Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Arens Çela.
Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga Pamela Qirko, Firdes Shuli dhe Xhensila Pine.
KPK nuk ka konstuar probleme në lidhje me pasurinë dhe ka pasur një vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës së prokurorit.
Gjatë seancës së parë dëgjimore Çela u përball me pyetje mbi vendimmarrjen e tij në lidhje me dy çështje të tjera që kishte hetuar.
Njëra çështjet lidhej me një shtetas nga Fushë Kruja, i akuzuar se kishte sulmuar me levë bashkëshorten e tij, pasi ajo e kishte denoncuar për të disatën herë në polici se e dhunonte. Çela i ka kërkuar gjykatës dënimin e tij për dhunë në familje. Ndryshe nga kërkesa e prokurorit, gjyqtarja e ka riklasifikuar veprën penale në tentative vrasje, duke e dënuar të pandehurin me 22 vite burg.
Çështja e dytë lidhej me shoqërimin me forcë të një shtetasi nga policia e Beratit.
Arens Çela përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe u emërua prokuror në Prokurorinë e Lushnjes. Më pas, Çela ka drejtuar prokurorinë e Beratit dhe ka mbajtur pozicionin e zv.drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve. Në janar 2020, Çela u emërua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si ndihmës-magjistrat në Prokurorinë e Përgjithshme.