KPK shkarkon nga detyra kandidatin për SPAK, Ndini Tavani

KPK shkarkon nga detyra kandidatin për SPAK, Ndini Tavani

Komisioni i Pavarur shkarkoi sot nga detyra kandidatin për Prokurorinë e Posaçme Ndini Tavanin.Vendimi u dha nga trupa e përbërë nga Alma Faskaj, Brunilda Bekteshi dhe Roland Ilia.

Në lidhje me kriterin e pasurisë, KPK konstatoi probleme me mundësinë financiare të prokurorit për të blerë apartamentin në vitin 2015. Prokurori Tavani kishte deklaruar një apartament të blerë në 2015 me vlerë 4.5 milionë lekë, nga të cilat kishte paguar 3 milionë lekë. Burim për 3 milionë lekë zoti Tavani kishte deklaruar pagën e tij dhe të bashkëshortes  si dhe të ardhurat e tij nga puna si avokat.

Komisioni mbas hetimit të kryer, deklaroi se zoti Tavani nuk kishte mundësi të krijonte shumën prej 2.5 milionë lekësh.

Nga ana tjetër Komisioni gjeti pamundësi financiare në vitin 2009 në lidhje me blerjen e një makine në shumën 7 mijë euro dhe në vitin 2016 për blerjen e një makine në shumën e 900 mijë lekëve dhe për shpenzimet për pushime.

Në lidhje me kriterin e figurës DSIK hartoi dy raporte ku në të dytin e konsideroi prokurorin Tavani të papërshtatshëm për të vazhduar punën. Sipas DSIK prokurori Tavani ka shpërdoruar detyrën në lidhje me një çështje për skemat e mashtrimit me TVSH. Ndërkohë Komsioni konstatoi gjithashtu se në vitin 2015 ndaj Tavanit kishte patur një kallëzim penal por cështja ishte pushuar dhe nuk kishte patur ankim për të.

Në lidhje me kriterin e profesionalitetit Komsioni konstatoi probleme në dy prej pesë dosjeve të marra në shqyrtim. KPK konstatoi se prokurori Tavani në vitin 2015 kishte pushuar një çështje vetëm një ditë pas regjistrimit të procedimit penal. Gjithashtu prokurori Tavani kishte shtyrë hetimet ndaj një çështjeje ku të paditur ishin dy noterë. Hetimet u shtynë me tre muaj për të pyetur kallëzuesin dhe noteren por i janë marrë deklarimet vetëm kësaj të fundit. Më pas u shtynë hetimet edhe me tre muaj të tjerë për pyetjen e kallëzuesit e më pas u vendos pushimi i çështjes.

Gjithashtu Komisioni gjeti se prokurori Tavani kishte vendosur pushimin e një çështjeje të bërë publike nga emisioni Stop, pa kryer hetime të mjaftueshme.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>