Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i hoqi sot mandatet deputetëve Dashamir Tahiri dhe Shkëlqim Selami dhe kryebashkiakut të Kavajës Elvis Rroshi. Ato akuzohen se kanë fshehur të shkuarën e tyre kriminale në formularin e vetëdeklarimit, siç e parashikon ligji i dekriminalizimit.
Kryetari i KQZ-së Krenar Biba u shpreh se KQZ shpalli të pavlefshëm dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit të kryebashkiakut të Kavajës Elvis Rroshi, deputetit Dashamir Tahiri dhe Shkëlqim Selami.
Tani i takon Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Kuvendit Meta ti shkarkojnë përfundimisht ato.
Vendimi i KQZ-së u përshendet nga Kryetari i opozitës Lulzim Basha si dhe nga Ambasada Amerikane.
Sipas hetimeve të deritanishme të Prokurorisë:
Deputeti i PDIU-së Dashamir Tahiri rezulton i dënuar në Itali për veprën e falsifikim të parave dhe përdorimi i dokumentave të falsifikuara.
Deputeti i LSI-së Shkëlqim Selami rezulton se ka qënë i dënuar me burg nga gjykata e Brindizit, në Itali.
Kryebashkiaku i Kavajës Elvis Rroshi rezulton i dënuar në Itali për veprën penal të përdhunimit në grup, për trafik droge dhe pastrim parash.
Prokuroria e Përgjithshme para pak ditësh njoftoi zyrtarisht Komisionin Qendror te Zgjedhjeve se tre zyrtarët e lartë duhet të shkarkohen nga funksionet publike sipas ligjit të dekriminalizimit.
Ndërkohë, prokuroria po vazhdon verifikimet edhe për zyrtarë të tjerë në kuadër të ligjit “Për dekriminalizimin”.