Shpëtim Idrizi, kreu i PDIU mbetet zyrtarisht jashtë kuvendit. Komisioni Qendror Zgjedhor miratoi sot rezultatin përfundimtar të qarkut Tiranë dhe hodhi poshtë kërkesën e PDIU për të shtyrë shqyrtimin dhe miratimin e rezultatit.
PDIU mori në Tiranë 12 347 vota ose 2,98 për qind duke mos arritur të kapë pragun elektoral prej 3 për qindësh, të mjaftueshëm për të fituar një mandat për Shpëtim Idrizin.
Që orej 27 qershorit, PDIU kishte dorëzuar në KQZ një ankesë lidhur me 31 vota në 4 qendra numërimi. Sipas PDIU, 31 votat e PDIU janë hedhur gabimisht për PDS-së, vota këto që gjithsesi nuk dihet nëse do të bënin ndryshim për marrjen e mandatit të Zotit Idrizi.
Sipas Shpëtim Idrizi KQZ nuk ka hedhun online të gjithë të dhënat, duke e bërë të vështirë llogaritjen e numrit të votave që duhen për të kaluar pragun.
“Të paktën të dihet ekzakt numri i votuesve dhe votave të pavlefshme apo të kontestuara, që të dimë sa është ekzakt 3%. Për të marrë mandatin duhen 11.500 vota. Këtu është problem i pragut 3%, i cili varet nga numri i votave pas verifikimit të të gjithë procesverbaleve, numrit të përgjithshëm të votave dhe numrit të votave të pavlefshme,” shpjegoi Zoti Idrizi.