KQZ miraton sot fondin për partitë, PS e PD përfitojnë më shumë

KQZ miraton sot fondin për partitë, PS e PD përfitojnë më shumë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të miratojë sot fondin monetar për secilin parti për zgjedhjet e 25 qershorit. Në total një fond prej 65 milionë lekësh do të shpërndahen mes 18 partive që marrinpjesë në zgjedhje. Pjesa më e madhe e fondit, prej 49 milionë lekësh do të shpërndahen tek Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, që kanë fituar në vitin 2013 numrin më të madh të votave.

Përkatësisht, PS me 713 mijë vota do të përfitojë 28 milionë lekë, PD me 528 mijë vota do të përfitojë 20 milionë lekë.

Lëvizja Socialiste për Integrim, e renditur e treta me numër votash, do të marrë 7 milionë lekë. Partitë e tjera parlamentare, PDIU e PR do të marrin përkatësisht 1,7 milionë dhe 1,1 milionë lekë.

Një shifër më të ulët fondesh do të marrin dhe partitë që nuk kanë përfaqësi në parlament, por që janë pjesë e garës së 25 qershorit.

Me ndryshimet e reja në Ligjin Për Partitë Politike, e veçanërisht  në nenet që parashikojnë financimin e fushatës zgjedhore, përcaktohet qartë se një parti politike gjatë fushatës nuk mund të kryejë shpenzime që kalojnë 10-fishin e shumës më të madhe të parave që një subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike.

Fondet gjatë fushatës partitë mund t’i sigurojnë përmes fondeve publike, të ardhurave të partisë apo dhuratave jo më të larta se 1 milionë lekë.

Pas fushatës, partitë duhet të dorëzojnë pranë KQZ-së dokumentacionin e plotë për çdo shpenzim, e nëse rezulton se shuma e dhënë nga buxheti i shtetit nuk është shpenzuar e tëra, pjesa e mbetur duhet t’i kthehet KQZ-së.

Me ndryshimet e reja, partitë politike nuk lejohen të shpenzojnë para për blerjen e kohës televizive për të transmetuar reklama politike. Televizionet private kombëtare, vendore apo satelitore do të vendosin kohë falas për të gjitha partitë, si ato që kanë përfaqësim në parlament dhe për ato që nuk kanë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>