Partia Bindja Demokratike është shperblyer nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me mbi 1 milion e gjysmë lekë (të reja) për shkak të rezultatit pozitiv në zgjedhjet lokale të qershorit 2019. Ndërsa Partia Socialiste përfiton 9 milionë lekë, si raporton shqiptarja.com.
Këto parà janë ndarë sipas nenit 87 të Kodit Zgjedhor ku përcaktohet se “Partitë politike që kanë marrë më shumë se 0,5 për qind të votave në shkallë vendi, përfitojnë fonde nga Buxheti i Shtetit, në bazë të votave të marra për këshillat vendorë nga secila parti.”
Në 2019-ën Partia Socialiste garoi pa kundërshtarë në 31 nga 61 bashki të vendit. Partia Bindja Demokratike u regjistrua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në shkelje të afateve ligjore. Paligjshmërinë e pjesmarrjes së Bindjes Demokratike në zgjedhje e “vulosi” gjykatësja Mimoza Margjeka kur refuzoi të certifikonte mandatin e kryebashkiakes së BD-së, e zgjedhur në Durrës.
Zgjedhjet e 2019-ës, që sipas OSBE-së “u mbajtën pa e marrë shumë në konsideratë interesin e elektoratit” u diskutuan edhe për shkak të përqindjes së ulët të qytetarëve që morën pjesë në to.