KQZ ka rrëzuar udhëzimin më të ri për regjistrimin e partive politike në zgjedhje. Ky udhëzimi penalizonte partinë LIBRA të Ben Blushit. Në propozimin që u rrëzua sot me votim thuhej: Vërtetimi i Kuvendit për zotërimin e mandatit është i vlefshëm vetëm nëse vërteton se partia politike, koalicioni zgjedhor, kandidati i propozuar nga zgjedhësit zotëron mandat në Kuvend të paktën 6 muajt e fundit nga data e paraqitjes së kërkesës për regjistrim të listave. Ndërkohë që në nenin 68 të Kodit Zgjedhor thuhet: “Partia politike ose koalicioni paraqet një vërtetim me shkrim, të nënshkruar nga institucioni i Kuvendit apo njësia e qeverisjes vendore, ku vërtetohet zotërimi i mandatit të paktën 6 muajt e fundit”.
Ndërkohë që udhëzimi i ri parashikon për partitë që nuk kanë deputet, duhet të mbledhin 5 mijë firma që të garojnënë zgjedhjet e 18 qershorit.
Deputeti Ben Blushi i cilësoi udhëzimet e KQZ politike nga qeveria e rilindjes me qëllim ndalimin e partisë LIBRA të konkurojë në zgjedhje. Madje ai ironizoi dhe kreun e KQZ, Denar Biba për udhëzimin duke thënë se kjo nuk është mendje e bibave të KQZ-së por e bandës së Rilindjes.
“KQZ ka propozuar një udhëzim sipas të cilit data referencë e regjistrimit nuk është dita e zgjedhjeve por dita e dorëzimit të listave të deputetëve. Pra jo 18 qershori por 28 prilli. Ky akt është totalisht i personalizuar dhe bëhet vetëm për të penalizuar LIBRA.Kjo është njëlloj sikur 1 prillin, ditën e gënjeshtrave, ta bësh 1 qershor me vendim KQZ-je. Natyrisht nuk është mendja e BIBAVE të KQZ por e bandës së Rilindjes. E kanë kot. LIBRA do shkojë në zgjedhje me cdo kusht dhe me cdo cmim pavarësisht nga Bibat, Bubat, Babat dhe Bebat e Rilindjes”, shkruante në facebook Blushi pas bërjes publike të udhëzimit të ri.