Kreu i GRECO Esposito: Nuk ka luftë kundër korrupsionit pa një gjyqësor efektiv

Nga Alice Elizabeth Taylor
Kreu i GRECO Esposito: Nuk ka luftë kundër korrupsionit pa një gjyqësor efektiv

Nuk mund të ketë një luftë të vërtetë dhe efektive kundër korrupsionit ose pastrimit të parave në Shqipëri, pa një gjyqësor efektiv.

Kështu deklaroi Gianluca Esposito, Drejtori Ekzekutiv i Grupit të Shteteve kundër Korrupsionit (GRECO) në Këshillin e Evropës (KiE).

Në një intervistë ekskluzive me Exit, Esposito shpjegoi se si “reforma në gjyqësor duhet të përfundojë shpejt. Po, po vazhdon, por Shqipërisë i duhet një gjyqësor i lirë, i drejtë dhe i pavarur sepse vetëm ligjet nuk janë të mjaftueshëm.”

Kur u pyet për mungesën e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, Esposito ishte e qartë se është e rëndësishme të ruhet sundimi i ligjit dhe se duhet pasur kujdes për të siguruar që ngritja e tyre “të jetë në mënyrën e duhur”.

Kur u pyet për kritikat ndaj qeverisë se nuk lejon hetimin e paanshëm dhe ndjekjen penale të të dyshuarve për korrupsion dhe krim ekonomik, përfshirë zyrtarët e lartë, ai tha se “për sa kohë që ka pandëshkueshmëri, nuk mund të presësh që të kesh një përpjekje nga e gjithë shoqëria për t’u marrë me korrupsionin.”

Përsëri, ai theksoi se nuk është e mjaftueshme të kesh një ligj kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik dhe të kesh gjykata funksionale, por duhet të sigurosh që “media dhe shoqëria të marrin pjesë kolektivisht në dënimin e korrupsionit.”

“Nëse përfundoni të pranoni pandëshkueshmërinë, përfundoni në zhgënjim nga shoqëria,” tha ai.

Esposito tha se GRECO i kërkoi qeverisë, hetime, ndjekje penale dhe dënime, si dhe konfiskime të pasurive, të atyre që janë përfshirë në keqbërje. Këto, pohoi ai, janë masat e nevojshme për të shmangur vërtet pandëshkueshmërinë.

Në lidhje me reformën zgjedhore, ai nuk pranoi të komentojë mbi polemikat rreth kryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore duke qenë se ai vetë ishte i përfshirë në akuzat e për manipulim të zgjedhjeve. Në vend të kësaj, ai pohoi se GRECO ka qenë në mbrojtje të “një organi të pavarur për të mbikëqyrur administratën zgjedhore”, duke theksuar se është një pikë që ata do ta monitorojnë.

Zyrtari i Parë i Etikës në Këshillin e Evropës vuri në dukje se si “korrupsioni, pastrimi i parave dhe krimi mbeten një kërcënim për Shqipërinë” dhe theksoi ndërsa në letër ekziston një “nivel i lartë i angazhimit politik” dhe disa masa janë futur, ato ende duhet të jenë të plota dhe të zbatuara.

“Qeveria po shkon në drejtimin e duhur, por më e rëndësishmja – dhe unë po insistoj këtu- reformat janë të mira vetëm nëse ato zbatohen në mënyrë efektive dhe të duhur,” tha ai.

“Nuk është e mjaftueshme të krijosh një institucion apo organ të ri për të luftuar korrupsionin ose krimin; ata në të vërtetë duhet të kryejnë detyrat që i janë caktuar,”shtoi ai

Esposito iu referua faktit se Shqipëria së shpejti do të ketë një Prokurori të Posaçme, dhe ndërsa pranoi që kjo ishte gjë e mirë, ai shtoi se të pasurit një prokurori tillë nuk është e mjaftueshme sepse “ata në fakt duhet të kryejnë detyrat e tyre”.

Në përgjithësi, Esposito tha se ai mendon që qeveria shqiptare po merr seriozisht bashkëpunimin me GRECO dhe se ata kanë një “dialog të mirë e të vazhdueshëm”. Duke shprehur optimizëm për të ardhmen, ai tha se ishte e rëndësishme të mbahet parasysh se reformat e plota elektorale, gjyqësore dhe ligjore marrin kohë dhe nuk mund të priten rezultate të menjëhershme. Ai tha se është i kënaqur deri më tani me qëndrushmërinë e qeverisë shqiptare në reformat e marra, por theksoi se ato nuk kanë mbaruar dhe kryesorja është se si do të zbatohen ato.

Kreu i GRECO mori pjesë në një konferencë të titulluar “Lufta ndaj korrupsionit dhe krimit ekonomik” që u organizua në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë. Po ashtu, ishin të pranishëm Artan Hoxha, Dekan i Fakultetit; Lenka Vitkova, Shefe e Sundimit të Ligjit dhe Qeverisjes së mirë në Delegacionin e BE; Christina Vasak Ambasadore e Francës në Shqipëri; Jutta Gutzkoë, Shefe e zyrës së KiE në Tiranë; dhe Zëvendës Ministrja e Drejtësisë Fjoralba Caka.

Paneli diskutoi mbi përparimin e bërë dhe sfidat e vazhdueshme në bashkëpunimin e vazhdueshëm midis GRECO dhe MONEYVAL, departamentit të KiE që merret me pastrimin e parave dhe krimin ekonomik. Temat e tjera përfshinin legjislacionin kundër pastrimit të parave, sistemin e deklarimit të pasurive, publikimin e pasurive të zyrtarëve publik dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>