Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj deklaroi se shumica e të infektuarve po kurohen në shtëpi duke theksuar se për virusin nuk ka një terapi fikse.
Në një intervistë për Ballkan Web, Brataj pohoi se :
“Ky është një virus i ri, që ka një terapi simptomatike, që do të thotë çfarë të na shfaqet, do ta kurojmë. Pra, nëse kemi temperaturë, do të përdorim ilaçe kundër saj, nëse kemi kollë, do përdorim shurup, etj. Por, kur shfaqen simptomat e mungesës së frymëmarrjes, është mirë të shoqërohet me ekzaminim.”
Në lidhje me rritjen e rasteve, Brataj shtoi se nuk ka rritje të thirrjeve në numrin e Urgjencës Kombëtare dhe se të infektuarit kanë simptoma të lehta. Sipas tij 40 përqind e të infektuarve nuk kanë asnjë simptomë.
“Nuk është se ka ndonjë ndryshim shumë të madh. Rritja që filloi nga fundi i korrikut vijon, thuajse ka të njëjtat thirrje për koronavirusin. 1000-1500 thirrje në ditë tani është trend. Ajo që shoh është se të sëmurët kanë shenja të lehta dhe trajtohen nga mjeku i familjes. Nëse janë mbi 3 mijë raste aktive, 117 janë në spital, 40% nuk kanë asnjë shenjë e simptomë, ndërsa të tjerët kanë shenja të lehta që ndiqen në banesë.”
Në lidhje me hapjen e shkollave, Brataj pohoi se është pro hapjes së shkollave duke theksuar se shancet e përhapjes së infektimit atje janë të pakta.