Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj deklaroi se Shqipëria ende nuk ka rrezik për të shkuar drejt mbylljes, pasi gjendja e koronavirusit në vend është e menaxhueshme.
Në një intervistë për News24, ai u shpreh se rritja e numrave është normale dhe ishte parashikuar një gjë e tillë.
“Fakti që ne gjendemi akoma në skenarin e dytë, me COVID2, s’mund të flasim për emergjencë, pasi nuk është. Për shëndetin e njerëzve duhet të thuhet qartë realiteti. Është normale që janë rritur numrat. I kemi analizuar disa herë të gjitha shkaqet. E kishim thënë për valën që do të vinte në tetor. Është folur gjithmonë. Deri tani menaxhimi po bëhet me skenarin e dytë.”
Në lidhje me efektin e maskave, Brataj theksoi se ajo do të shihet në javët në vijim.
I pyetur për numrin e testimeve, Brataj pohoi se ato janë rritur në 1400 deri 1500 testime në ditë.