“Dje kam pritur Kryeministrin e Shqipërisë. Ia thashë edhe shumë personalisht e në sy Edi Ramës, se hapja e negociatave është e parakohshme. Përpjekjet e deritanishme për reforma janë të pamjaftueshme.” Kështu shkruan Kryetari i Komisionit të Çështjeve të BE-së në Bundestagun gjerman Gunther Krichbaum, në faqen e tij në facebook pas takimit me Kryeministrin Edi Rama, dje në Gjermani.
Kjo deklaratë konfirmon qendrimin e Krichbaum, edhe pas takimit me Kryeministrin Rama, për mos hapjen e negociatave Shqipëri- BE në qershor të 2018.
Deputeti gjerman, menjëherë pas marrjes së rekomandimeve pozitive për vendin tonë nga Komisioni Evropian deklaroi në një intervistë për Deutche Welle se “rekomandimi i Komisionit BE-së për hapjen e kapitujve të anëtarësimit, nuk është i mjaftueshëm.”
Të njëjtin qendrim Krichbaum e ka shprehur edhe më 20 mars në një intervistë për Tagespigel se hapja e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian është i parakohshëm në këtë moment, duke shtuar se “korrupsioni dhe niveli i lartë i krimit të organizuar janë një problem”.