Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha i është përgjigjur kritikëve mbi vendimin e vitit 2019 për djegien e mandateve parlamentare duke thënë se “të mençur pas Kuvendit e trima pas lufte ka boll”.
Gjatë një takimi me anëtarë të PD në Tropojë, Basha u shpreh se vendimi për djegien e mandateve kishte objektiv zgjedhjet e parakohëshme.
“Djegia e mandateve kishte një dhe vetëm një objektiv: zgjedhje të parakohshme […] Sot është e lehtë të rishkruash historinë sepse siç e thotë populli “të mençur pas Kuvendit e trima pas lufte ka boll””, tha Basha.
Megjithatë sipas Bashës ky vendim ka ndikuar pozitivisht në rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit pasi ka kthyer besimin e qytetarëve te PD.
“Pa këto beteja do të shkonim duke u zvarritur drejt 25 prillit si bashkëfajtorë dhe si fasada të regjimit dhe jo ballë për ballë regjimit dhe njësoj të bërë njësh me qytetarët, të cilëve ua kthyem bashkë me mandatet edhe besimin”, deklaroi Basha.
Vendimi për djegien e mandateve të deputetëve nga PD është një nga kritikat që i është bërë Lulzim Bashës nga kritikët e tij brenda partisë pas zgjedhjeve të 25 prillit.
Ky vendim është cilësuar i gabuar edhe nga kandidatët për kreun e PD-së në zgjedhjet e 13 qershorit.