Ngërçi politik që ka përfshirë Maqedoninë është komentuar dhe nga liderët e politikës shqiptare.
Që prej zgjedhjeve të 11 dhejtorit, në Maqedoni nuk është arritur formimi i qeverisë së re.
Presidenti Ivanov nuk i dha mandatimin liderit të opozitës Zoran Zaev për krijimin e qeverisë pas dështimit të forcës fituese së Gruevskit. Opozita pranoi që gjuha shqipe të ishte gjuhë zyrtare në Maqedoni, ç’ka u cilësuar nga presidenti Ivanov si antikushtetuese.
Kryeministri Rama, i cili ishte më i përfshiri në këto zhvillime, ka qenë i drejtpërdrejtë me kreun e shtetit maqedonas. Në deklaratën e tij konstaton lehtë dhe notat e ironisë. Për zhvillimet politike në vendin fqinj kanë reaguar dhe kryeparlamentari Meta e lideri i opozitës Basha.
Kryeminitri Rama:
“Zoti Ivanov, gjuha shqipe s’është e armikut po e një populli shtetformues në Maqedoni. Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni i dashur President!”
Kreu i Kuvendit Ilir Meta:
“Inkurajoj të gjitha forcat politike në vendin fqinj për qetësi, përgjegjshmëri dhe konstruktivitet. Dëshiroj të shpreh gjithashtu keqardhjen për retorikat nacionaliste anti-shqiptare të cilat cënojnë harmoninë dhe bashkëjetesën ndër-etnike – si garanci për stabilitetin e vendit fqinj.”
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha:
“E konsideroj kete qendrim nje akt diskriminimi etnik qe nuk i kontribon harmonise midis etnive shtetformuese ne Maqedoni. stabiliteti dhe rruga e integrimit te Maqedonise cenohet rende nga akte te tilla diskriminuese. Pranimi i dygjuhesise e emancipon Maqedonine nga ngercet dhe paragjykimet dhe zgjeron hapesiren e lirise duke forcuar keshtu vete themelet e saj.”