Kroacia i dhuroi 10 mijë vaksina Kosovës të enjten. Lajmin e bëri të ditur ministri i jashtëm kroat Gordan Gërliç Radman.
“Me kënaqësi të veçantë e kam informuar zonjën ministre rreth vendimit të Qeverisë së Kroacisë për dhënien e një donacioni prej 10.000 dozave te vaksinave kundër koronavirusit për Republikën e Kosovës. Besojmë se ky donacion do të jetë i mirë për mbrojtjen e njerëzve”, tha Radman pas takimit me ministren e jashtëm kosovare Donika Gërvalla.
Një ditë më parë, Kosova mori 4680 dozat e para të vaksinave Pfizer/BioNTech të financuara nga BE.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi të martën se këto doza do të përdoren për vaksinimin e punonjësve shëndetësorë, të cilët nuk kanë mundur të vaksinohen në fazën e parë të vaksinimit, për arsye shëndetësore.
Kosova ka nisur procesin e vaksinimit në fund të muajit mars, me 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca, të siguruara nga programi Covax.