Zgjerimi i Bashkimit Europian do të jetë një nga prioritetet kryesore të Kroacisë në gjashtë mujorin e presidencën së saj të BE-së.
Duke folur për vendimin e KE-së për të mos hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç deklaroi se “Kroacia do të bëjë çmos për të kapërcyer problemet dhe zhbllokuar procesin që u ndalua në samitin e tetorit 2019″.
Megjithatë ministri i jashtëm kroat Grlic Radman theksoi se integrimi në BE është një rrugë e gjatë që kalon përmes reformave dhe arritjes së standardeve:
“Procesi i anëtarësimit në BE nuk ndodh brenda një dite; ne kemi punuar shumë për të përmbushur të gjitha kriteret dhe standardet.”
Ministri Radman shtoi se Kroacia ka “shumë punë dhe një detyrë të rëndësishme për të bërë në mënyrën më të mirë të mundshme në interes të të gjithë anëtarëve të BE”.
Ai tha se si përveç zgjerimit, gjatë presidencën kroate do t’i kushtohet vëmendje edhe organizimit të marrëdhënieve midis BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Pritet që Britania të lërë zyrtarisht BE-në në 31 janar. Pas kësaj date do të nisin bisedimet për marrëdhëniet e ardhshme me BE-në dhe marrëveshjen e tregtisë së lirë. Mëgjithatë Brexit nuk është një temë qendrore për Kroacinë, e cila do të luajë më shumë një rol shoqërues, ndryshe nga Gjermania, vend që e merr presidencën e radhës menjëherë në 1 korrik pas Kroacisë.
Kroacia është i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor që është anëtar i BE, ndaj është zotuar të mbështesë vendet e tjera ballkanike drejt integrimit në BE. E anëtarësuar në vitin 2013, kjo është hera e parë që Kroacia merr presidencën e Këshillit të BE-së.