Kronikë nga seanca e Kuvendit të Shqipërisë

Kronikë nga seanca e Kuvendit të Shqipërisë

Pavarësisht se sot Kuvendi i Shqipërisë miratoi marrëveshjen e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në NATO, dhe se i ftuar në sallë ishte Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferri, përplasja ndërmjet opozitës dhe shumicës mori të gjithë vëmendjen e medias dhe publikut. Gjatë seancës, nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka e spërkati me bojë Kryeminsitrin Rama. Partia Demokratike përmes një njoftimi për shtyp tregoi se Kryeministri e ka tallur vazhdimisht në të gjitha seancat deputetin Paloka për pamundësinë e tij për të shqiptuar disa tinguj.

Menjëherë pas kësaj, Kryetari i Kuvendit urdhëroi largimin nga salla të deputetit. Gjithashtu, deputetët e shumicës thanë se do të kërkojnë largimin e Palokës nga posti i nënkryetarit të Kuvendit.

Ndërsa Kryeministri Rama e quajti “budallallëk” veprimin e Palokës, duke vazhduar ta tallë deputetin e opozitës. Ai tha se:

““Dy gjëra janë të pafundme, universi dhe budallallëku i njeriut”, shkruante Albert Ainshtajni, përpara se sa opozita në Shqipëri të merrte formën e një Budallallëku Universal, që vizion ka Vezën e Lulit, ide ka Çizmen e Doktorreshës dhe program ka Bojën e Palothës.”

Mendimin e tij për ngjarjen e shprehu edhe Kryebashkiaku Veliaj, i cili shkroi në Twitter:

“Kur thosha ‘parti shpellare’ gjithë portalet gjobëvënëse vrapuan ta përdridhnin se kinse ishte për miletin. Jo or jo, për këta e kam, sot e gjithmonë, neandertalët e SHQUP, mavri me bojë që i nxorën bojën këtij vendi me dhunë, shkatërrim e përdhosje të çdo vlere shqiptari! Turp”.

Prej shumë kohësh, Kuvendi është kthyer në një sallë ku fjalori banal dhe aksidente të tilla janë bërë të zakonshme. Në fakt, vetë Kryeministri ka përdorur disa herë fjalor banal nga foltorja e Kuvendit në drejtim të opozitës. Rasti më i fundit është seanca plenare e 1 shkurtit, kur u diskutua investigimi i Zërit të Amerikës për vjedhjen e votave nga Kryebashkiaku Dako në bashkëpunim me grupe kriminale në Durrës. Kryeministri, i akuzuar nga opozita për bashkëpunim me krimin dhe për pastrim parash, iu përgjigj opozitës me fjalët:

“Abi Bank është një bankë amerikane, e cila kontrollohet nga Enti Regullator i Bankave të Amerikës. Po ta përsëris ti je njëri që je marrë me gratë, je marrë më vajzat me kalamajtë, je marrë me nipat, je marrë me mbesat. Je marrë me kë s’je marrë. Ti je njeri s’ke kanun, ti je njeri që nuk ke Kushtetutë. Ti je njeri që nuk ke ligj. Ti je njeri që nuk ke moral por ti gruas time dhe familjes time i ha ato që nuk thuhen”.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>