13 kryetarët e rinj të bashkive, të zgjedhur në 21 Qershor, kanë bërë deklarimin e pasurisë në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit, Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit. Në këtë deklarim nuk kanë marrë pjesë ata që kanë qenë më përpara në të njëjtin post ose që kanë qenë pjesë e Këshillit të Ministrave.
Ajo që bie në sy është se, si të mos mjaftonte prania e biznemenëve në Parlament, tani, ata po marrin në dorë dhe drejtimin e bashkive. Dy prej kryebashkiave të sapozgjedhur kanë deklaruar pasuri marramendëse. Ata as nuk kanë dhënë informacion për mënyrën se si e kanë ngritur pasurinë e tyre.
Kryetari i bashkisë së Pukës Gjon Gjonaj deklaroi se zotëron 50% të aksioneve të Hotel-Turizmit në Puke me vlerë 1.65 milion Euro, 34% të aksioneve në një biznes për nxjerrjen e mermerit me vlerë 1.8 milion Euro. Gjonaj ka në pronësi dhe 50 % të një magazine frigorifer me vlerë 1.45 milion Euro. Pra në total, vetëm nga aksionet në tre biznese të ndryshme ai zotëron 4.9 milion Euro. Zoti Gjonaj ka në pronësi katër shtëpi banimi, një prej tyre vilë dy-katëshe, katër apartamente banimi, dy prej të cilave në Tiranë, një garazh dhe tre toka me siperfaqe në total 25 544 m².
Kryetari i bashkisë së Pogradecit Eduard Kapri është një tjetër kryebashkiak me shumë prona, por ai, ndryshe nga kolegu i tij në Pukë, nuk i ka zbardhur të gjitha vlerat e pronave të tij. Ai ka dorëzuar deklaratën e pasurisë së tij ku rezulton se është pronar i 46 apartamenteve, 45 prej të cilave në Shëngjin të Lezhës dhe një në Pogradec. Zoti Kapri është, gjithashtu, pronar i 37 bodrumeve dhe një sipërfaqe prej 1900 m² njësi tregtare, po në Shëngjin të Lezhës.
Pas kryebashkiakut të Pogradecit dhe të Pukës, vjen ai i Bulqizës, Melaim Damzi, i cili deklaron se ka në pronësi 88 % të një fabrike për prodhimin e ujit me gaz me vlerë rreth 150 milionë lekë.
Ndërsa kryebashkiakët e tjerë nuk kanë pasqyruar në deklaratën e tyre të pasurisë shumë të mëdha apo edhe pasuri të paluajtshme. Në përgjithësi, kryebashkiakët e tjerë kanë të ardhura personale nga rroga mujore apo angazhimet për shkak të profesionit dhe dy deri në tre aparatamente.