Kryebashkiakët socialistë që dalluan nga fitoret e 30 qershorit

Kryebashkiakët socialistë që dalluan nga fitoret e 30 qershorit

Nga skena në politikë, nga garda në krye të një bashkie dhe zona si Maliqi e Poliçani që nuk ndryshojnë drejtimin prej së paku 15 vitesh. Kjo ishte ajo që dalloi përtej rezultatit me 98.3% fitore të Partisë Socialiste në 61 bashkitë.

Në Maliq, Partia Socialiste nuk hoqi dorë nga Gëzim Topçiu, i cili rikandidoi për herë të gjashtë dhe i fitoi zgjedhjet si kandidat i vetëm me 13 656 vota. Edhe pse pa garë ai mori edhe 851 vota më shumë se në zgjedhjet e fundit vendore.

Topçiu e drejton Maliqin që prej vitit 2000 dhe është kryebashkiaku më jetëgjatë i Partisë Socialiste. Një analizë e Reporter.al e deklarimeve të tij, ka treguar se gjatë kësaj kohe, Topçiu e ka tetëfishuar pasurinë nga 2 milionë në 17,3 milionë lekë.

Në Poliçan Adriatik Zotkaj mori mandatin e pestë si kryetar Bashkie. Socialistët e kandiduan të vetëm në garë dhe ai mori 4 681 vota, 209 vota më pak se në zgjedhjet vendore të vitit 2015.

Zotkaj e drejton Poliçanin prej vitit 2004. Ai njihet më shumë në opinionin publik për faktin se në deklarimet e bëra për dekriminalizimin ka treguar katër dënime, tre prej të cilave me gjithsej 4 vjet e 10 muaj burg për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, “kundërshtim punonjësish të policisë” dhe “falsifikim i dokumenteve shkollore”.

Në Mat Partia Socialiste kandidoi të vetëm Agron Malajn, ish-komandantin e Gardës, i cili pati drejtuar njësinë e ndërhyrjes dhe grupin e snajperëve në protestat e 21 janarit 2011 ku mbetën të vrarë 4 protestues socialistë.

Malaj mori 7 936 vota, 153 vota më pak se kandidatja e PS-ës në zgjedhjet e shkuara Adelina Farici, e cila pati humbur këtë Bashki.

Pavarësisht se 21-janari ishte një nga çështjet më të përdorura politikisht në sulmet ndaj qeverisë së shkuar, ish-komandanti i Gardës u ngrit fillimisht si drejtor në OSHEE, më pas në krye të Partisë Socialiste të Matit e sot në krye të Bashkisë së saj.

Nëse në Maliq dhe Poliçan socialistët nuk e ndryshojnë dorën, në Kolonjë ata katapultuan ish-aktorin e emisionit Portokalli dhe B.E Coffee Erion Isai.

Isai mori 4 279 vota, 159 më pak se sa pati marrë kandidati Arben Malo në zgjedhjet e shkuara.

Ndërkohë në Pustec, zonën ku sipas të dhënave paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u shënua dhe pjesëmarrja më e lartë 55.4%, fitues u shpall Pali Kolefski.

Në këtë zonë, që njihet për faktin se jetojnë minoritarë maqedonas kandidonte edhe kryetari aktual Edmond Themelko i partisë Aleanca Mqedonase. Themelko asokohe pati fituar me 2076 vota, por në zgjedhjet e 30 qershorit ai mori vetëm 859 vota.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>