Kryebashkiaku i Gramshit Klodian Taçe ka fshehur në formularin e vetëdeklarimit hetimin ndaj tij, në vitin 2009, për vjedhje.
Nëse kjo gjë vërtetëtohet nga prokuroria, Taçe rrezikon të preket nga ligji i dekriminalizimit dhe të humbasë mandatin e kryebashkiakut.
Sipas ABCNews, e cila ka siguruar dosjen e hetimeve, në vitin 2009 Taçe është kallëzuar penalisht nga recepsionistja e një qendre private shëndetësore, e cila e ka akuzuar atë për vjedhjen e 68 mijë lekëve të reja.
Megjithëse Taçe nuk është dënuar nga gjykata për këtë rast, në formularin e vetëdeklarimit ai e ka fshehur hetimin.
Sipas ligjit për dekriminalizimin, nenit 5, fshehja e dënimit në formularin e dekriminalizimit përbën vepër penale:
“Formulari i vetëdeklarimit plotësohet vetëm nga personi që është subjekt i këtij ligji. Deklarimi i rrethanave të rreme ose të shtrembëruara përbën vepër penale, sipas nenit 190 të Kodit Penal.”
Kjo vepër, sipas Kodit Penal “dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet.”
Prokuroria ende nuk ka nisur hetimet për këtë rast.
Bashkë me Taçen shkon në 6 numri i kryebashkiakëve problematikë socialist, dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.
Valdin Pjetri i Shkodrës, Agim Kajmaku i Vorës, Mark Babani i Vaut të Dejës, Agron Malaj i Matit dhe Qerim Ismailaj i Mallakastrës janë denoncuar nga Partia Demokratike për të shkuar kriminale.
Për të lexuar më shumë për këto raste klikoni këtu.