Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e ftuar në emisionin ‘Java’ në RTSH mbrojti veprimet e Presidentit Meta. Ajo u shpreh se:
“Në të gjithë historinë dhe në të gjithë debatin që ndodhi, unë jam e bindur që sjellja dhe veprimet e Ilir Metës kanë qenë si asnjëherë tjetër përsa i përket karrierës së tij politike si President”.
Kryemadhi u shpreh se Metën “duhet ta gjykojnë nga vendimet që ka bërë dhe vendimet e Ilir Metës si President kanë qenë vendime jo vetëm kushtetuese të cilat kanë marrë vulën dhe miratimin e Komisionit të Venecias por kanë qenë dhe vendime shumë patriotike për këtë ua garantoj”.
Kryemadhi tregoi se Presidenti ka “adhurim për heronjtë e luftës”, që kur “ka qenë student i dhjetorit”.
Madje, ajo sqaroi se “një nga arsyet e distancimit të Ilir Metës [nga Lëvizja e Dhjetorit] ishte lufta Nacional-Çlirimtare, ishte rrënimi i vlerave dhe ndërtimit e rindërtimit të Shqipërisë në ato vite, pavarësisht politikës”.
“Të jeni të bindur që dashuria e Ilir Metës për Margarita Tutulanin është e sinqertë. Mos harroni që dhe Afërdita Tutulani, motra e Margarita Tutulanit ka qenë një nga themelueset e LSI”, përfundoi Kryemadhi.