Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi se në qendër të programit të saj është subvencionimi i bujqësisë dhe mbështetje ndaj produkteve vendase.
Gjatë prezantimit të kandidates për deputete në Lushnje, Alma Maliaj, ajo u shpreh:
“Ajo ku ne fokusohemi dhe që e kemi edhe pjesë të pogramit përsa i përket bujqësisë. Është në kuadrin e subvencioneve por ka të bëjë dhe drejtpërdrejt me krijimin e prodhimeve Made in Albania. Që do të thotë që ne të ushqehemi me produktet tona shqiptare. Ne të mbushim tregun shqiptar me produktet tona sepse e rëndësishme është që ne duhet tu kthejmë fermerëve mundësinë që ata të punojnë dhe të prodhojnë.”
Kryemadhi tha se nëpërmjet subvencionimit të bujqësisë do të parandalojnë dhe largimin e të rinjve, pasi ata do të kenë mundësi të punojnë në tokat e tyre dhe të shesin produktet në tregun shqiptar.
“Ne duam të rrisim vëmendjen ndaj bujqësisë, të rrisim subvencionin, të krijojmë hapësira dhe mundësi jo vetëm për rritjen e prodhimit por dhe të rriten të ardhurat financiare për familjet e fermerëve. Sepse vetëm në këtë mënyrë ne do të bëjmë që të rinjtë dhe të rejat të lidhen me tokën, të jetojnë këtu, duke pasur dhe një treg që fermeri ta shesë mos të torturohet për të shitur prodhimet e tyre.”, tha ajo