Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi i kërkoi të premten, Prokurorisë Speciale që të nisë sa më parë hetimet për procedurën e votimit në Këshillin Bashkiak të vendimit për prishjen e Teatrit Kombëtar.
Në një intervistë për News24, Zonja Kryemadhi akuzoi Bashkinë Tiranë dhe këshilltarët se kanë falsifikuar dokumentet dhe kanë vendosur prishjen e Teatrit Kombëtar në shkelje të ligjeve dhe rregulloreve:
“E sfidoj SPAK-un të nisë hetimet për procesin e falsifikimit e dokuemnteve për vendimin për prishjen e teatrit.
Prokuroria të sekuestrojë protokollin e bashkisë dhe kamerat e sigurisë së Bashkisë Tiranë.
Nëse prokuroria vonohet, ajo do të jetë bashkëfajtore për këtë krim.”
Kryemadhi u shpreh e vendosur për të kundërshtuar bashkë me artistët, vendimin e Ramës dhe Veliajt për të shembur teatrin.
Mbrëmjen e 14 majit, Këshilli Bashkiak publikoi vendimin e miratuar nga këshilltarët, edhe pse nuk ka patur asnjë njoftim zyrtar as për mbledhje të Këshillit dhe për rrjedhojë për votim në datën 14.
Nuk dihet si është marrë vendim, pra në çfarë mënyrë është votuar dhe si është administruar vota dhe pse ky votim u bë 24 orë më herët se mbledhja e njoftuar e Këshillit.
Siç Exit News ka shpjeguar më parë këtu dhe këtu, ky vendim është marrë në shkelje flagrante të ligjeve.