Kryeministri Hoti paralajmëron tryezë për zgjedhjen e presidentit, Haradinaj kandidat

Nga Exit News
Kryeministri Hoti paralajmëron tryezë për zgjedhjen e presidentit, Haradinaj kandidat

Kryeminsitri i Kosovës Avdullah Hoti ka paralajmëruar organizimin e një tryeze të përbashkët me të gjitha partitë për të diskutuar çështjen e presidentit.

Hoti deklaroi, të enjten për gazetarët, se tryeza do të mbahet për të parë nëse ka vullnet nga palët për të përzgjedhur presidentin.

“Duhet të ndjekim vetëm një zgjidhje kushtetuese. Shpejt do të organizohet tryeza e partive politike për të parë disponimin e partive politike nëse ka disponim që të diskutohet për të gjetur një zgjidhje për presidentin e vendit.”

Ai tha se kandidatura e Ramush Haradinajt do të diskutohet në tryezë. Po ashtu edhe deklaratat e PDK-së që kërkojnë që presidenti të jetë nga radhët e tyre.

“E dimë propozimin e AAK-së, tash po duket edhe të PDK-së. Besoj që ditëve të ardhshme organizohet kjo tryezë dhe të shohim se si mund të shkojmë përpara”, ka thënë ai.

Kryeministri theksoi se do të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, ju e dini qëndrimin tonë që e kemi pasë standard që e kemi pasë. Çfarëdo vendimi që del nga ajo gjykatë do ta pranojmë dhe do të sillemi në përputhje me atë vendim.”

Parlamenti i Kosovës duhet të zgjedhë një president të ri brenda 5 muajsh.

Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj është i vetmi që ka shpallur kandidaturën për president deri tani. Partneri më i madh i koalicionit qeverisës, LDK-ja nuk e ka mbështetur atë.

Presidenti duhet të marrë dy të tretat e votave në Kuvend. Nëse asnjëri prej kandidatëve nuk i siguron këto vota në dy votimet e para, atëherë dy kanditatët me më tepër vota dalin në balotazh në një votim të tretë dhe të fundit, që vendoset me shumicë të thjeshtë.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>