Kryeministri Boris Johnson i bëri thirrje britanikëve që këtë verë të pushojnë brenda Mbretërisë së Bashkuar.
“Mendoj se ky është një vit i mirë që njerëzit t’i kalojnë pushimet në atdhe. Ky vend është i bekuar në mënyrë unike me vende fantastike për pushime. Unë kështu do të bëj,” deklaroi Johnson para gazetarëve.
Pyetur për mbajtjen e maskave mbrojtëse, Johnson tha se maskat “luajnë rol të madh në vendet e mbyllura” dhe se qeveria do të shqyrtojë “udhëzimet” brenda ditëve të ardhshme për të vendosur nëse mbajtja e maskës do të bëhet e detyrueshme apo jo.
Mbretëria e Bashkuar është një ndër vendet më të prekura nga pandemia e COVID-19.
Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins, në MB janë infektuar gjithsej 291,155 njerëz, ndërsa 44,904 kanë vdekur.