Qeveria e kishte ndarë mendjen për ta shtrydhur edhe përvjetorin e shkuar të pavarësisë. Plani ishte të bënte një “Samit të Dytë të Diasporës”. Të thërriste delegatë nga mbarë bota. Të uleshin e ta dëgjonin. “Një nëntor i katërt, pas sukseseve historike të nëntorëve të Skënderbeut, Qemalit, Qoftëlargut dhe… timit” – mendoi ai. U acarua me subkonshin e vet, që emrin ia përsolli pranë atij të diktatorit.
Ai e dinte mirë që “samiti” nuk kishte se si të ishte samit. Ai e dinte që samiti është një takim mes krerëve më të lartë të dy a më shumë shteteve. Takim ku merren vendime jo fort të zakonshme. Së paku, takim ku vendimet merren për t’u zbatuar. Ai e dinte që vetëm prania e tij si nismëtar, organizator, referues, programues, hartues planesh, vulosës dokumentesh, shkrues e miratues strategjish, dizenjator për takimin me diasporistët nuk e meritonte të quhej samit.
Në parantezë: që prej “samitit të parë”, kur i kishte parë të pranishmit, i kishin ardhur ndërmend zboristët që, fëmijë, i shihte të lumtur në revistat në bibliotekën e shtëpisë. Prej atëherë nuk i bëhej ndryshe veçse t’i quante “diasporistë”. Eh, sa revista, sa libra kishte lexuar!
“Po të ftoj Thaçin, bëhemi dy udhëheqës. Ja, u bë samit! Kush ta hajë, ta hajë!” – kishte vendosur herën e parë.
Samitin e nëntorit iu desh ta shtynte. Shqiptarët në botë kishin për të festuar përvjetorin e pavarësisë në vendet ku jetonin. Këngë, valle, flamuj – të zakonshmet. “Popull tallava!” – u nxeh sërish.
Pse duhej të mendonte ai për të gjitha xhanëm? Diasporistëve u kishte vendosur mbi kokë një njeri. Madje i kishte dhënë edhe titullin Ministër Shteti për Diasporën. Minidiasporist, si të thuash, Pandeli Majko.
Samiti u shty për në 28 shkurt – 2 mars 2019.
Para pak ditësh, Majko u bëri një surprizë prej ministri shteti diasporistëve. I kapi gafil, pa mendje, pothuajse mat. Tak, një video në Facebook: “Mirë se vini në Samitin e Dytë të Diasporës!”.
Videoja është tregues i mirë i punës me diasporistët. Ajo është ilustrim i realitetit tridimensional të jetës së shqiptarëve në mendjen e kryediasporistit, ashtu si aeroportet 3D, portet 3D, konviktet 3D, rrugët strategjike 3D, unazat e mëdha 3D. “Amon, ça lesh thridije! Më tepër më çajnë trapin ata veshgjatët që tallin leshtë me komente!” – kishte thënë pas konvikteve 3D.
Videoja, që ka kushtuar vetëm pak mijëra euro, është edhe dëshmia e programit të mirëmenduar të “samitit”.
Kështu, videoja nis me pamje të fasadës së shndritshme të një ndërtese inekzistente prej xhami dhe metali. Ndërtesa fare kollaj mund të të sjellë ndërmend një qendër tregtare, por njeriu e zbon mendimin se aty mund të bëhen pazare në kurriz të atyre që mblidhen veç prej dashurisë dhe dhimbjes për vendin.
Hyjmë brenda, dhe pamja zhvendoset në tavanin e katit të parë, ku qëndron harta e Shqipërisë, e ndarë në qarqe, të cilat janë shkëputur nga njëri-tjetri. “Mesazhi që kërkohet të përcillet përmes shkëputjes së qarqeve është me siguri ai i mbërritjes së delegatëve nga të gjitha trevat e botës,” – të thotë një zë.
Mirëpo ajo mund të kish qenë harta e botës atëherë, andej nga vërtet vijnë diasporistët e tij. Kjo aktualja i ngjan kryekëput hartës elektorale të Shqipërisë, vetëm se ngjyra e secilës bashki është ende e bardhë, si përpara shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, të cilat do të zhvillohen pak javë pas “samitit”. Qeveri e përmbajtur, modeste, që nuk i lyen paraprakisht qarqet me ngjyrën manushaqe të fitores!
Përballë, mbi mur, lexojmë “Samiti i Diasporës”, nën njërin nga stilizimet postmoderne kryeministrore të flamurit shqiptar. Dysheme e zezë, si shqipja flamurore; panele, mure, banakë, divanë të kuq, si sfondi flamuror.
Vitrina e parë: “100 Fshatrat – Suvenire”. Stenda, ku me siguri pjesëmarrësve do t’u ofrohet tharmi folklorik në një objekt të prekshëm. Kundrejt pagesës, kuptohet. Cili diasporist nuk do të zbrazte xhepat për një suvenir në kujtim të çasteve kur kryeministri foli mu përballë tij?
“100 Fshatrat” janë një tjetër projekt i shkëlqyer tridimensional i qeverisë, që së shpejti do të vazhdojë të jetë në proces zbatimi. Bizneset familjare në 100 fshatra të përzgjedhur për vlerat turistike, do të vazhdojnë të nisin të marrin fonde nga qeveria, në bazë të një procesi të ndershëm konkurrimi me projekte konkrete, sipas formatit bashkëlidhur diku. Në këtë dyqan të samitit, hëpërhë diasporistët mund të blejnë foto fshatrash nga ajri të Alket Islamit. E, janë çik shtrenjtë.
Pamja zhvendoset në skajin përballë, ku gjendet vitrina e dytë: “Librari / Arsim / Kulturë”. Plot libra në shitje. “Eh, sa libra kam lexuar!” Vështirësitë e tij gjatë përzgjedhjes së titujve që do të lejojë të shiten veçse mund të merren me mend. Konflikti mes shijeve ekstravagante dhe zyrtarizmës së postit që mban do ta lodhë. Për shembull, duhet lejuar të shitet libri “Pellazgët, stërgjyshërit e kombit shqiptar” i Sotir Lashovës, ndonjë studim me gjasat për ta shfaqur mbretin lakuriq i tipit “Ligjërimi nacionalist në Shqipëri […]” i Enis Sulstarovës, apo broshura me të drejtë autori të prodhuara nga kryeqendra e vetme e artit dhe kulturës mbarë shqiptare Center for Opennes and Dialogue (COD)? Si Ou Di, jo KOD! “Këta s’kanë morra, jo lekë për të blerë vizatimet e mia anti-burokratike,” – do të mendonte, teksa do të sillte ndërmend librat e pafund që ka lexuar në jetë.
Kamera tregon katin e dytë. Kafene, tavolina, ku diasporistët kuvendojnë për fatet e kombit, të cilat aktualisht rëndojnë në duar kryeministrore, bashkë me burimet e vendit. Në kafene, aty ku ai dëshiron të vazhdojë kuvendi.
Vazhdojmë me “Recepsionin” dhe “Garderobën”, ku presin vajza me flokë, veshje e buzëqeshje të hekurosura, siç e do zakoni. Këtu, dikujt nga zyra göbelsiane i ka shpëtuar rregulli i domosdoshëm për përfaqësim gjinor fifti-fifti, si në qeveri.
Ecim. Dy “Salla Konferencash”, audienca e shumtë diasporiste qëndron ulur përballë ekranesh të mëdha, që ndoshta do të shfaqin të tjera projekte tridimensionale, si një film brenda filmit, fiksion brenda fiksionit.
Të tjera stenda “Expo”, si në panairet tek Pallati i Kongreseve – Panairi “Shqipëria Punon Tokën”, Panairi i Turizmit, Panairi i Ndërtimit, Panairi Ndërkombëtar, Panairi i Pyllit Orbital (në fund të ditës, why not?!) etj. Kuq e zi gjithandej.
Në korridore, njerëz që ecin pa pushim, në vend numëro, pa mundur të përparojnë.
Kamera vazhdon xhirimet ëndërrimtare. Mirë se vini në “Parlamentin e Diasporës”! Delegatët qëndrojnë përballë skenës me dysheme të zezë dhe me sfond një foto të përskuqur të Sheshit Skënderbej të Fusha shpk gjatë mbrëmjes. Njerëz pa dallim race e ngjyre, të ulur, duke pritur dikë të mbajë fjalën, ndoshta dialogun. Kush të jetë vallë?
Kamera tërhiqet pas, kthehet sipër dhe tregon tavanin e xhamtë të ndarë në katrorë nga shufra të holla. Përtej, mu sipër skenës së “parlamentit”, ku pritet folësi, lartohet një flamur gjigand shqiptar. Është vërtet gjigand. Më i madh se ai në Sheshin Skënderbej, pranë statujës së heroit kombëtar të shqiptarëve.
Kamera del jashtë sipër tavanit, kthehet vrik poshtë dhe përqëndrohet mbi kokat e delegatëve diasporistë të ulur në sallë. Mes kamerës dhe kokave të tyre janë shufrat, që ndajnë dhe mbajnë xhamin në tavan. Diasporistët duken si të marrë peng e të kallur pas hekurave.
Samiti i Dytë i Diasporës do të kulmojë më 2 mars 2019. Kjo video është “dokumenti” i vetëm i hartuar dhe botuar për të deri tani.
475 vjet më parë, më 2 mars 1444, Skëndërbeu mblodhi princat shqiptarë në Besëlidhjen e Lezhës. Mendja ta thotë se flamuri mesjetar ndanë tij ka qenë më i vogël.