Kryeministri Rama del fotografi me Kryeministrin Francez – Koment

Kryeministri Rama del fotografi me Kryeministrin Francez – Koment

Shkoi, bëri ca foto të bukura, u kthye.

Kështu mund të përmblidhet udhëtimi në Francë dhe takimi i Kryeministrit Rama me Kryeministrin francez Manuel Valls.

Vetë njoftimi i Kryeministrit Rama bën me dije se dy kryeministrat kanë vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, kanë folur për solidaritetin mes tyre në luftën kundër terrorizmit, për shembullin e bashkëjetesës mes feve në Shqipëri, për mbështetjen e Francës për integrimin europian të Shqipërisë. Fjalë të përgjithshme, pa përmbajtje.

Diku përmëndet bashkëpunimi në fushën e kulturës, pa ndonjë detaj.

Asnjë fjalë për investime, asnjë fjalë për tregti, asnjë fjalë për çfarëdo ndihmë apo mbështetje konkrete franceze.

Po kaq i varfër ka qenë edhe delegacioni zyrtar në këtë vizitë. Në mënyrë të pazakontë, Kryeministri, që nuk shkon askund pa një shpurë me njerëz, ka shkuar i vetëm në Francë. As ministra, as staf të tij nuk ka patur në takim. Kanë qenë vetëm ambasadori jonë në Francë dhe ai në OKB, që ndodhej në Paris për Samitin e OKB-së.

Edhe pse Kryeministri Rama e shiti si vizitë zyrtare me ftesë të kryeministrit francez, me shumë gjasa ka patur vetëm një takim të siguruar me Kryeministrin Francez, por jo në kuadër të një vizite zyrtare. Në axhendën zyrtare për ditën të kryeministrit francez ka patur më pak se një orë në dispozicion për Kryeministrin Rama. Asnjë takim tjetër me qeveritarë francezë. Asgjë tjetër. Zor se trajtohet kështu një mik i ftuar enkas për vizitë.

Por Kryeministri Rama ka bërë shumë foto të bukura në takim. Në faqen e Zotit Rama në Facebook nuk ka si të mos mrekullohesh me arkitekturën fantastike dhe kopshtin e rrallë të Hotel de Matignon, rezidencës së kryeministrit francez. Falë Kryeministrit Rama njohëm këtë mrekulli të Parisit.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>