Pas ekspozitave me vizatime në vende të ndryshme të botës, tashmë, Kryeministri Edi Rama, do të hapë një ekspozitë me skulptura në Berlin të Gjermanisë.
Ekspozita, e kuruar nga Hans Ulrich Obrist, do të hapet të premten, më 26 janar në galerinë “Carlier Gebauer” dhe do të qëndrojë e hapur deri më 9 mars . Sipas njoftimit të galerisë, në këtë ekspozitë do të ketë “një sërë vizatimesh të reja, të bëra mbi dokumente e shënime, që Rama bën gjatë takimeve dhe telefonatave, si dhe skultpura qeramike dhe një letër muri nga dyshemeja deri në tavan, që imiton murin në zyrën e Kryeministrit në Tiranë.”
Më pas, njoftimi bën një biografi të shkurtër të Ramës si artist dhe politikan, pasi siç kuratori i tij, Obrist shprehet “sipas tij [Ramës], arti nuk është i ndarë nga politika, por janë zgjatime të njëra-tjetrës.”
Kryeministri Rama ndodhet momentalisht në Gjermani, ku dha dhe një intervistë për gazetën gjermane, Die Welt. Nuk dihet ende nëse gjatë këtyrë ditëve Rama do të zhvillojë dhe takime zyrtare, siç ka bërë gjatë të gjithë ekzpozitave të mëparshme të tij. Për shembull, në qershor 2018, Rama hapi një ekspozitë në Burgenland, një kanton i Austrisë, teksa ndodhej aty për një vizitë zyrtare.
Po ashtu, në prill të vitit 2015, Rama hapi një ekspozitë të titulluar “Kalendari i Luleve” në Galerinë Michael Schultz, teksa ndodhej në Gjermani për të takuar Kryeministrin e Baden-Württemburgut dhe për të vizituar Muzeun e Mercedes Benz; dhe në nëntor të vitit 2015, Rama hapi ekspozitën e tij “Gonxhe Kalendari” në Akademinë Jao Tsung-I, gjatë një vizite zyrtare në Hong Kong për të takuar Guvernatorin Leung Chun-Ying dhe për të marrë pjesë në Forumin e Tregtisë dhe Investimeve Hong Kong-Shqipëri.