Dy ditë pasi dy ish-deputetë të PS-së u arrestuan, Kryeministri Rama ka urdhëruar bërjen e një analize të qeverisjes dhe shkarkimin e drejtorëve dhe drejtuesve të PS-së që nuk kanë përmbushur urdhërat dhe detyrat.
Dje gjatë një mbledhje të grupit parlamentar me dyer të mbyllura, Kryeministri Rama akuzoi drejtorët e institucioneve, – kujtojmë se njëri prej ish-deputetëve të arrestuar, Arben Çuko akuzohet për korrupsion gjatë kohës që ishte Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, – se po ‘i nxijnë fytyrën’ rilindjes:
“Problem mbeten drejtorët e paaftë, që nuk përmbushin pritshmëritë e njerëzve, po na nxijnë fytyrën me korrupsion dhe keqmenaxhim.”
Sot gjatë mbledhjes së kryesisë socialiste, Rama ka kërkuar nga deputetët një analizë të plotë të punës së drejtorëve dhe të kryetarëve të PS-së nëpër rrethe. Pa marrë përgjegjësinë për faktin se është ai vetë që ka përzgjedhur si deputetët, ashtu dhe drejtorët e insitucioneve më të rëndësishme, Rama njoftoi se do të shkarkohen ata drejtues që nuk kanë punuar siç duhet.
Deputetja Elisa Spiropali, sot, në një prononcim për median, jashtë selisë PS-së, deklaroi se do të ketë shkarkime të atyre drejtuesve që nuk kanë bërë saktë detyrat:
“Po bëhet analizë e punës së drejtorëve, do ketë vendime dhe për shkarkime të disa prej tyre. Po bëjmë analizë e qeverisjes.”
Po ashtu, deputetja Spiropali njoftoi se janë shkarkuar 11 kryetarë degësh të PS-në në gjithë vendin që nuk janë angazhuar sa duhet në terren dhe nuk kanë përmbushur detyrimet e caktuara nga kryesia.
Gjatë mbledhjes, Rama, gjithashtu, i ka kërkuar deputetëve socialistë të mbanin shënim dhe të raportonin çdo akuzë shpifje ndaj tyre në departamentin Anti Shpifje, të ngritur në Partinë Socialiste në mënyrë që të ndiqet në rrugë gjyqësore. PS tashmë ka një grup specialistësh që do të ndjekin dhe denoncojnë çdo rast shpifjeje ndaj deputetëve të maxhorancës, njësoj siç u veprua për rastin e Taulant Ballës.