Kryeministri ngatërron Kirchbaumin me deputetët e tij

Kryeministri ngatërron Kirchbaumin me deputetët e tij

monologun e tij të javës, Kryeministri Rama sulmoi disa deputetë evropianë që kanë kritikuar qeverinë e tij për drogën, krimin, korrupsionin dhe mungesën e përparimit në reformën në drejtësi.

Kryeministri u shpreh se ata janë zëra të shkëputur që kanë ndërmarrë sulme ndaj Shqipërisë për hir të interesave të tyre vetjake politike.

Ndërkohë, Kryeministri është shprehur i bindur se këta zëra janë të parëndësisëhm, pasi vendimin e për hapjen e negociatave e marrin krerët e qeverive dhe jo parlamentarët e vendeve të BE-së.

Edhe pse Kryeminsitri u referohet “deputetëve në Austri, Gjermani dhe Hollandë”, duket se mesazhi i tij drejtohet kryesisht ndaj parlamentarit gjerman Gunther Krichbaum, Kryetar i Komitetit të Çështjeve të BE-së në Bundestag.

Para dy ditësh, Krichbaum erdhi në Tiranë dhe i bëri të ditur Kryeministrit Rama mendimin e shumicës parlamentare gjermane kundër hapjes së negociatave me BE-në, duke parashtruar shtatë kushte për të marrë pëlqimin gjerman për hapjen e tyre.

Por ndryshe nga pretendimet e Kryeministrit në monologun e tij, Bundestagu, Komiteti i tij për Çështjet e BE-së dhe vetë kreu i komitetit Krichbaum kanë pushtet dhe ndikim në vendim-marrjen e Kancelares Merkel, e cila është e detyruar nga kushtetuta gjermane dhe ligjet e tjera të informojë Bunestagun dhe të marrë paraprakisht dhe të konsiderojë opinionin e Bundestagut.

Ligji për Bashkëpunimin mes Qeverisë Federale dhe Bundestagut Gjerman për Çështjet që Lidhen me Bashkimin Evropian i 4 Korrikut 2013, në Nenin e Parë, të titulluar Pjesëmarja e Bundestagut, sanksionon se:

Bundestagu duhet të marrë pjesë në procesin e vendim-marrjes së Federatës për çështjet që lidhen me Bashkimin Evropian dhe ka të drejtë të deklarojë pozicionin e tij. Qeveria Federale duhet të njoftojë Bundestagun për këto lloj çështjesh në mënyrë tërësore dhe sa më herët që të jetë e mundur.

Pika 2 e këtij ligji përcakton disa nga çështjet kryesore që konsiderohen të lidhura me BE-në, duke ju referuar përcaktimeve të Nenit 23 të Ligjit Bazë të Gjermanisë (siç njihet zyrtarisht kushtetuta gjermane), i cili përcakton se Qeveria Federale duhet të marrë parasysh qëndrimin e Bundestagut në çdo lloj negociate në kuadrin e BE-së. (Neni 23 i kushtetutës sanksionon, gjithashtu, detyrimin e Qeverisë Federale për informimin e Bundestagut për të gjitha çështjet që lidhen me BE-në.)

Neni Dy i ligjit përcakton krijimin e Komitetit për Çështjet e BE-së në Bundestag dhe i njeh këtij komiteti të drejtën të ofrojë, me autorizim, opinione në emër të Bundestagut, si dhe të drejtën të ushtrojë, me autorizim, kompetencat që ligji i jep Bundestagut për çështjet që lidhen me BE-në.

Në Nenin 3, të titulluar Parimet e Njoftimit, në pikën 1.1 thuhet në mënyrë specifike se Qeveria Federale ka për detyrë të informojë paraprakisht Bundestagun për çështjet që lidhen me propozimet apo nismat për hapjen e negociatave për pranim në Bashkimin Evropian.

Kjo do të thotë se qeveria gjermane e ka informuar Bundestagun dhe ka marrë paraprakisht mendimin e tij në lidhje me vendimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Kjo do të thotë se Krichbaum, si Kryetar i Komitetit për Çështjet e BE-së në Bundestag, ka jo vetëm të drejtë të flasë në emër të Bundestagut, por edhe të japë opinione që qeveria Federale duhet t’i marrë në konsideratë në lidhje me hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Kjo do të thotë se, pas Kancelares Merkel, Kirchbaum është njeriu më i rëndësishëm për vendimin gjerman në lidhje me negociatat me Shqipërinë.

Kjo do të thotë seKryeministri Rama ka ngatërruar Krichbaumin me deputetët e tij, të cilët nuk kanë asnjë fuqi para pushtetit kryeministror.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>