Kryeministri Rama: Për inate vetjake paguan miliona nga paratë publike, për interesin publik paguan zero

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Kryeministri Rama: Për inate vetjake paguan miliona nga paratë publike, për interesin publik paguan zero

Këtë javë qeveria sërish përdori fondin e saj rezervë për të paguar avokatët në atë që tashmë po kthehet në një armiqësi shumë të kushtueshme me biznesmenin italian Francesco Becchetti.

Deri tani mbrojtja e qeverisë në dy procese arbitrazhi u ka kushtuar taksapaguesve mbi 4 milionë euro dhe kjo shumë pritet të rritet.

Nuk ka asnjë dyshim se qeveria është qartësisht e gatshme të përballet me këto shpenzime, të paguara nga qytetarët shqiptarë, në çështjen e hidrocentralit të Kalivaçit.

Sikurse dihet, qeveria anulloi një koncesion për një impiant të përpunimit të mbetjeve dhe bllokoi koncesionin e hidrocentralit të Kalivaçit të Becchettit, u përpoq dhe dështoi në përpjekjen për ta ekstraduar atë nga Anglia, dhe po përballet me të në të paktën dy procese gjyqësore në arbitrazhin ndërkombëtar.

vjosa-2
Skema e propozuar për shfrytëzimin e lumit Vjosa. Burimi: Ministria e Energjitikës, Shqipëri, 2008.

Hidrocentrali i Kalivaçit ishte planifikaur të ishte i pari i një serie digash, të hartuara fillimisht nga qeveria Berisha në 2008. Nëse do të ndërtohen kjo seri hidrocentralesh do të shkatërronin të tërë ekosistemin e Vjosës, një nga tre lumenjtë e fundit të egër të mbetur në Europë.

Diga e Kalivaçit do të bllokojë “zemrën” e të gjithë sistemit lumor duke bllokuar lëvizjen e fundërrinave nga mallet drejt detit Adriatik.

Bllokimi i fundërrinave do të çonte në thellimin e gërryerjes së shtratit të lumit në të gjithë shtrirjen e rrjedhës së digës. Kjo do të ndikonte edhe deltën e lumit në Detin Adriatik. Ekosistemi i prurjeve do të rrënohej gati në një gjatësinë prej rreth 100 kilometra.

Vetë projekti është kundërshtuar vazhdimisht me forcë nga aktivistët mjedisorë. Para disa javësh 228 shkencëtarë nga 33 vende të botës firmosën një thirrje publike duke kërkuar një moratorium tre vjeçar për ndërtimin e hidrocentraleve në Vjosë. Thirrja e tyre është shpërfillur krejtësisht nga qeveria.

Vetë Becchetti ishte i vetëdijshëm për dëmin e shkaktuar në mjedis nga diga e tij. Në një intervistë për Die Spiegel në 2014, ai deklaroi se “diga nuk do të jetë një problem për mjedisin […] dikujt iu desh të ma shpjegonte këtë gjë që nuk e dija, por ne do të vendosim disa shkallore për troftat”.

Projekti i Becchetti nuk u anullua nga shqetësimi për mjedisin. Këtë e dëshmon fakti që para pak javësh, Ministria e Energjitikës dhe Industrisë firmosi një tjetër kontratë me kompaninë turke Kovlu Energji për koncesionin e hidrocentralit të Poçemit në rrjedhën e poshtme të Vjosës nga Kalivaçi—investim me vlerë rreth 100 milionë euro.

Çështja e hidrocentraleve të Valbonës, e vënë njësoj në qendër të vëmendjes nga kritikat e forta të veprimtarëve mjedisorë, është ndryshe. Pavarësisht kundërshtimit të fortë nga shoqëria civile, koncertet protestë, dhe faktin se hidrocentralet janë planifikuar në një zonë të mbrojtur natyrore, ligjërisht e përcaktuar “park kombëtar”, qeveria ka kundërshtuar, deri tani, të rishohi kontratat.

Pavarësisht se kuadri ligjor është shumë i qartë. Sipas nenit 6 pika 2 të Ligjit për Zonat e Mbrojtura, “në një park kombëtar është e ndaluar të shfrytëzosh tokën me teknologji intensive, përmes mjeteve ose në një mënyrë që shkakton ndryshime thelbësore në biodiversitet, në strukturë dhe në funksionimin e ekosistemit ose që dëmtojnë në mënyrë të pakthyeshme sipërfaqen e tokës.”

Ndërtimi i një hidrocentrali në mes të një parku kombëtar është tërësisht i paligjshëm – vetëm nëse, sigurisht, provohet se kjo nuk shkakton asnjë “ndryshim thelbësor në biodiversitet.” E cila është saktësisht ajo që një seri vlerësimesh të ndikimit në mjedis kanë bërë.

vjosa-3
Koncert protestë “Mos ma prek Valbonën,” tetor. 29, 2016. Burimi: Facebook. Photo © Shkëlzen Rexha.

Pyetjes së një qytetari në Facebook se pse nuk i anullon kontratat, Kryeministri Rama iu përgjigj se nëse ai do ta bënte këtë gjë, “ne duhet të paguanim në arbitrazh ndërkombëtar shumë më shumë se sa ajo që mund të imagjinoni në ëndrrat tuaja më të këqija”.

Por qeveria aktualisht po e paguan këtë makth, madje nuk po e paguan as as për arsyen e drejtë.

Është e qartë se qeveria Rama vepron, në mënyrë hipokrite, me standarte të dyfishta.

Ajo është gatshme të paguajë në arbitrazh vetëm nëse pagesa është rezultati i një armiqësie personale me një biznesmen—dhe jo për të ndrequr politikat e dështuara të qeverive të mëparshme dhe për të parandaluar shkatërrimet ekologjike nga ndërhyrjet e paligjshme dhe të pambrojtura në natyrë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>