Partia Socialiste do të ketë të njejtin kryetar gjatë gjithë kohës që ajo është në pushtet. Ndryshimet statutore që do i propozohen kongresit të ardhshëm të PS-së sanksionojnë që mandati i kryetarit të partisë rinovohet automatikisht gjatë kohës që partia është në pushtet.
Edhe pse statuti aktual kërkon zgjedhjen e kryetarit çdo katër vjet, pa asnjë përjashtim, Partia Socialiste ka 7 vjet që nuk bën zgjedhje për kryetarin. Kryetari i PS-së Edi Rama ka pretenduar gjatë gjithë kësaj kohe se zgjedhjet janë ta panevojshme, pasi ai është rikonfirmuar nga populli si udhëheqës i tij, pra, automatiksiht edhe nga anëtarët e PS-së.
Nga ana tjetër, Kryeministri Rama dhe të gjithë mbështetësit e tij kryesorë, vecanërisht ministrat e kabinetit të tij, kanë krijuar në publik idenë se konfirmimi automatik i kryetarëve të partive në pushtet është standart që zbatohet në të gjitha partitë, në vendet demokratike perëndimore.
Por, ndërsa një sërë partish të vendeve perendimore, përfshi në Gjermani dhe Australi, zhvilluan zgjedhje edhe pse ishin në pushtet, Kryeministri Rama e ripërpunoi tezën e tij duke thënë se ai ndjek shembullin e partisë laburiste britanike.
Argumentimi i Zotit Rama qe i mangët, pasi edhe pse Partia Laburiste nuk thërret zgjedhje të rregullta gjatë kohës që është në pushtet, kryetari i partisë mund të sfidohet në çdo moment nga çdo kush dhe nëse kjo ndodh partia zhvillon zgjedhje për kryetarin edhe pse është në pushtet. Në fakt, kjo ka ndodhur në rastin e Margaret Thatcher dhe Tony Blair, të cilët u sfiduan nga brenda partisë ndërsa ishin në pushtet dhe humbën jo vetëm kryesimin e partisë, por edhe postin e kryeministrit për rrjedhojë.
Por sido që të ishte, justifikimi i Zotit Rama ishte i paligjshëm, pasi Partia Socialiste e Shqipërisë qeveriset nga statuti dhe rregullat e saj dhe jo ato të laburistëve britanikë. Statuti i PS-së e shpreh qartë që kryetari zgjidhet çdo katër vjet dhe për këtë arsye qendrimi i zotit Rama në krye të PS-së ishte i paligjshëm.
Ndërsa presioni nga disa zëra kritikë në PS erdhi në rritje dhe justifikimi “laburist” filloi të dukej i pabesueshëm, Zoti Rama vendosi të ndryshojë qasje. Duke mos dashur t’i nënshtrohet vullnetit të ligjeve të partisë, ai vendosi t’ia përshtasë ligjet e partisë vullnetit të tij.
Disa javë më parë, ai vendosi të ndryshojë statutin e PS-së për të sanksinuar pikërisht konfirmimin automatik të drejtuesit të partisë kur ajo është në pushtet. Për t’i shitur këto ndryshime si rezultat i një proçesi demokratik, ai ngriti një grup pune që do t’i bënte propozimet për ndryshimet në statut. Në krye të këtij grupi vendosi, ndoshta pa e kuptuar ironinë poetike të faktit, deputetin Fatmir Xhafa, ish sekretar i Komitetit Qëndror të Rinisë, në kohën kur kryetari i partisë ishte i përjetshëm.
Grupi i punës nuk vonoi dhe e bëri propozim zyrtar dëshirën e Zotit Rama. Tashmë pritet që këto ndryshime të kalojnë, pa ndonjë kundërshti, në Kongresin e Partisë Socialiste që do të mbahet në muajin mars.