Një nga momentet më tragji-komike të historisë sonë me skemat mashtruese piramidale ishte ai kur Maksude Kadëmi, e njohur si Sudja, u përball me turmat që kërkonin të tërhiqnin paratë nga firma e saj.
Ndërsa në Tiranë u përhap me shpejtësi fjala se Sudja kishte falimentuar, një turmë e acaruar qytetarësh rrethoi pallatin ku ajo jetonte, duke kërkuar paratë e investuara në skemën piramidale.
Sudja nuk kishte dalë kurrë në publik dhe pothuajse askush nuk e njihte për fytyrë. Por atë ditë protestuesit nuk pranonin të largoheshin nëse ajo nuk do dilte vetë për t’ju treguar fatin e parave tyre.
Nën presionin e turmës dhe ndoshta nga frika e asaj që turma mund të bënte, Sudja vendosi të provonte mashtrimin e fundit. Nxorri kokën e trishtuar në dritaren e apartamentit dhe me megafon në dorë iu drejtua njerëzve duke ju thënë të mos shqetësoheshin se paratë ishin të sigurta se për to kujdesej vetë “kopetenti”.
Logjika ishte e thjeshtë: Turma që kishte besuar Suden, tani që ishte zhgënjyer prej saj, duhet të besonte një person më të zotin se Sudja, një person “kopetent”. Dhe vërtet, shumë njerëz filluan që përgjegjësinë për mashtrimin e Sudes ta kërkonin tek “kopetenti”, duke hamendësuar secili “kopetentin” e vet. Tashethemet dhe kërkimet për “kopetentin” për shumë shërbyen si shfryrje e tërbimit dhe mërzisë për humbjen e pasurisë.
20 vjet pas Sudes, është Kryeministri Rama i cili na ofroi “kopetentin” e tij. Pasi po dëshmon çdo ditë e më shumë se për të qeverisur është aq i aftë sa ishte Sudja për investimet financiare, Kryeministri Rama e ka reduktuar qeverisjen në një seri skemash të grabitjes së pasurive dhe burimeve publike në favor të një grushti të vogël klientësh dhe familjarësh, me fuqinë e parave dhe pushtetit të së cilëve ai shpreson të mbajë pushtetin.
Skema më e fundit e Kryeministrit është ajo e grabitjes së stadiumit kombëtar përmes një skeme investimi të dyshimtë dhe të padëgjuar ndonjëherë në botë.
Por këtë herë duket se ai po ndeshet me kundërshti të hapta për kthimin e stadiumit kombëtar në një qendër gjigande tregtare, me një kullë gjigande, më të lartën në Shqipëri, si godinë private me apartamente dhe zyra.
Dje, i gjendur nën presionin e publikut, Kryeministri Rama i ngujuar në Hotel Tirana nën rrethimin e truprojave, si dikur Sudja në apartamentin e saj, doli me mikrofon në dorë për t’i thënë publikut se kullën e ka vendosur “kopetenti”: “Kulla është element i kërkuar me ngulm nga arkitekti dhe studioja e arkitekturës, si element ikonik i projektit,” tha ai.
“Kopetenti” i Kryeministrit Rama është vërtet këmbëngulës.