Kryeministri Rama i ka dërguar një letër qytetarëve britanikë përrmes gazetës The Times për të shprehur mendimet e tij në lidhje me përfshirjen e Shqipërisë në fushatën për referendumin e Mbretërisë së Bashkuar për qëndrimin në BE.
Edhe pse qëllimi apo ideja e Kryeministrit për të komunikuar me publikun dhe politikanët britanikë është e lavdërueshme në parim, përpjekja konkrete e kryeministrit ka qenë mediokre.
Me gjuhë të ngurtë dhe me zhargon burokratik e detaje të lodhshme teknike si ato që gjen në raport-progreset e BE-së, Kryeministri Rama i ka ofruar publikut britanik një pështjellim shumë të gjatë dhe të rrëmujshëm idesh të përgjithshme, mbushur me moralizime e këshilla, të pavenda nga pozita e një kryeministri të një vendi të vogël dhe të pazhvilluar si Shqipëria.
Mbi të gjitha në letrën e tij, Kryeministri ka bërë një gabim të zakonshëm për politikanët tanë egocentrikë: nuk e konsiderojnë audiencën konkrete të cilës i drejtohen dhe nuk shohin e kuptojnë pikëpamjet dhe interesat e saj, Prandaj ata nuk kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin duke marrë parasysh interesat e atyre që ju drejtohen, por përqendrohen tek vetja dhe interesat e tyre e flasin vetëm për to.
Nëse politikanët britanikë kanë shprehur perceptimet e tyre për varfërinë, korrupsionin dhe kriminalitetin e Shqipërisë, Kryeministri Rama nuk ka bërë asnjë përpjekje direkte apo indirekte për të shpërndarë këtë perceptim në letrën e tij. Ai ka folur për arritjet e tij dhe të qeverisë së tij dikurse flet ngado.
Aq shpërfillës ka qene ai ndaj publikut britanik sa në të paktën në një rast i ka trajtuar si idiotë teksa i fton të vinë në Shqipëri në verë që të ndjekin bashkë me shqiptarët kombëtaren shqiptare që do të luajë në Francë.
Në letrën e Kryeminsitrit ndihet kudo prirja e tij e Kryeministrit tonë për të marrë pozicionin e një udhëheqësi filozof i nivelit botëror, i cili di disa të vërteta të mëdha që të tjerët nuk i dinë dhe ai e ndjen për detyrë t’ja u thotë.
Ja disa nga pjesë nga letra, të shoqëruara në kllapa katrore me komente tona:
- Ndërsa jam një shqiptar krenar dhe një Ballkan krenar [gabimi në origjinal], unë nuk do të bëja pohimin se ne kemi muskujt ekonomikë apo politikë për ta parë veten si rivalë të BE-së. [Këtë pretendim nuk e ka thënë askush, përkundrazi kanë thënë se jemi vend i prapambetur dhe i varfër.]
- Unë e falenderoj Zotin Gove që na dha një dozë të mirëpritur publiciteti [në fakt Gove u bë shkak për një dozë publiciteti tejet negativ ndaj Shqipërisë] ndërsa ne po fillojmë një fushatë turistike para-verore për të tërhequr pushuesit Britanikë në vendet tona historike dhe plazhet tona të bukura, dhe ndërsa ne po ju drejtohemi investitorëve të vinë dhe të shohin përmirësimet e mëdha që ne kemi bërë, mundësitë e mëdha që vendi ynë ofron për të investuar. [Një zot e di se çfarë tërheqje mund të kenë këto fjalë të përgjithshme, të lodhshme për qytetarët britanikë].
- Britanikët që do të vinë këtu do të kenë mundësinë t’ju bashkohen shqiptarëve për të ndjekur thesaret [dy fjalët e fundit janë në anglishte të çalë në origjinal] e ekipit tonë të futbollit që merr pjesë në turneun e parë të madh, finalet e Kampionatit Europian. [Vërtet Kryeministri i fton britanikët të vinë në Shqipëri për të parë kombëtaren shqiptare!]
- Këto janë kohë të mira për të qënë shqiptar. [Shprehja është një klishe në fjalimet e politikanëve amerikanë. Ajo është e pakuptimtë në këtë rast, pasi kryeminsitri nuk ka dhënë asnjë arsye pse është mirë të jesh shqiptar në këto kohë, ndërkohë që britanikët po flasin për shqiptarë që po largohen nga vendi i tyre nga varfëria, korrupsioni dhe kriminaliteti.]
- Por unë nuk jam i bindur se do t’i përshtatej nevojave tona apo të Britanisë të shekullit të 21-të të krijonin këtë BBC të re, Konfederatën Britaniko-Ballkanase. [Këtu Kryeministri ynë bëhet qesharak: thjesht për të përdorur inicialet, B, B, C si tek BBC duke e menduar këtë gjë shumë të zgjuar, ka sajuar një projekt për konfederatë mes Britanisë dhe vendeve të Ballkanit, të cilën nuk e ka menduar dhe nuk e ka përmendur kurrë askush (me shumë gjasa Kryeministri nuk është i vetëdijshëm për kuptimin e fjalës konfederatë). Pra, Kryeministri jonë po u thotë britanikëve që ajo gjë që atyre nuk ju ka shkuar ndonjëherë në mendje nuk është gjë e mirë për ta!]
- BE ka jo vetëm ideale dhe vlera që ne i aspirojmë, por aspirata e gjithë rajonit për t’i bashkuar BE-së ka bërë të pamundurën të mundur. […] Është për hir të aspiratës për t’iu bashkuar BE-së që unë shkova në Beograd në vitin 2014, vizita e parë e një kryeministri Shqiptar në 68 vjet. [Mirë Kryeministrit tonë i ka mbetur ora tek heroizmi i vizitës së tij heroike në Beograd, po qytetarët britanikë çfarë interesi kanë për këtë gjë?!]
- Është e çuditshme që Minisitri i Drejtësisë Zoti Gove “dëshiron ta lërë vullnetarisht unionin që duket se i ka dhënë Britanisë aq shumë”. [Kryeminsitri duket se nuk e di se nga BE dilet vetëm vullnetarisht, pasi nuk ka mekanziëm përzënie. Ndërkohë, është e çuditshme që Kryeministri jonë ballkanas, i thotë Ministrit të Drejtësisë britanik, jo vetëm britanik por edhe qytetar i BE-së, së çfarë i ka sjellë atij për mirë BE-ja.]
- Ndërsa ne po punojmë shumë për të ndërmarrë hapat e shumtë që duhen drejt anëtarësimit në BE, ne nuk gëzojmë asnjë nga përfitimet që gëzon Britania, përfitime që Britania do t’i humbasë nëse do të dalë nga BE. [Kryeministri me sa duket mendon se Britanikët janë të painformuar dhe vendos t’i informojë ai.]
- BE ka eleminuar të gjitha tarifat dhe detyrimet doganore për mallrat industrial shqiptare. Por ndërsa mishi ynë i viçit dhe vera jonë është mes atyre më të mirave që ka bota [çfarë?!] , për shkak se BE ka statusin e vendit me të favorizuar për tregtinë për një sërë produktesh bujqësore… eksportet e tyre në BE janë të kufizuara. Tarifat aplikohen edhe për një sërë frutash dhe perimesh. Dhe ne nuk kemi akses në marrëveshjet e jashtme tregtare të BE-së. Kështu kur BE arrin një marrëvshje fantastike tregtare, për shembull me Korenë e Jugut, në nuk përfitojmë. Në të ardhmen, sikur ju të ishit pjesë e bllokut të Ballkanit, nuk do të përfitonit as ju. [Një tjetër shpjegim i lodhshëm, aspak interesant.]