Kryeministri Rama vazhdon ciklin e leksioneve për popullin britanik – Koment

Kryeministri Rama vazhdon ciklin e leksioneve për popullin britanik – Koment

Kryeministri Rama ka dhënë, dje, një intervistë për televizionin britanik Sky News. Sikurse edhe në letrën e botuar në gazetën The Times, një ditë më parë, Kryeministri ka vazhduar të dëshmojë mungesë totale ndjeshmërie ndaj shqetësimeve dhe të drejtave të qytetarëve britanikë, e për më tepër duke përdorur një gjuhë dhe qasje të diskutueshme.

Fillimisht, Kryeministri ka komentuar shqetësimet në lidhje me rreziqet e emigracionit nga vendet si Shqipëria, nëse ato hyjnë në BE. Pyetjes në lidhje më këtë çështje, ai i është përgjigjur, duke qeshur me zë paraprakisht:

“Një ditë do të keni miliarda dhe miliarda shqiptarë që fluturojnë përmes qiejve britanikë dhe t’ju pushtojnë si në filmat me trillime shkencore?”

Qeshja ironike dhe hiperbola pa shumë shije e Kryeministrit dëshmon mungesë vetëdije dhe shpërfillje të tij ndaj shqetësimeve legjitime që qytetarët britanikë kanë për emigracionin, sikurse edhe shumë qytetarë të tjerë.

Natyrisht, kjo qasje nuk shërben as për të sqaruar dhe as për të qetësuar britanikët dhe as për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë.

Por me sa duket asnjë nga këto nuk ka qenë qëllimi i Kryeministrit Rama, pasi duke vazhduar intervistën ai ka tentuar t’i nxjerrë britanikët si njerëz jo realist që shqetësohen pa arsye, duke thënë një gënjeshtër të madhe se shqiptarët nuk emigrojnë në vendet e BE-së:

“Jo, jo, shqiptarët, serbët dhe të tjerët në rajon kanë, prej shumë vitesh, një regjim pa viza dhe mund të lëvizin lirisht kudo në Europë, me përjashtim të Mbretërisë së Bashkuar. Prandaj, pyesni gjermanët, pyesini francezët, pyesni danezët. Pyesni kë të doni mes më të pasurve a e kanë parë qiellin e tyre të nxirrë nga shqiponjat shqiptare… këto janë gjepura.”

Në fakt, shqetësimet e britanikëve nuk janë gjepura—Shqipëria, faktikisht, është një ndër vendet kryesore të origjinës së emigrantëve për në BE. Nëse, sikurse sugjeron Kryeministri jonë, britanikët do të pyesnin gjermanët, ata do të mësonin se shqiptarët janë të dytët, vetëm pas sirianëve të përfshirë në luftë civile, për numrin e azilkërkuesve në Gjermani, gjatë dy viteve të fundit.

Prandaj, ndryshe nga ç’mendon Kryeministri jonë, është normale që një britanik të besojë se nëse Shqipëria do të bëhet pjesë e BE-së drejt Britanisë, Gjermanisë, dhe vendeve të tjera europiane do të vërshojnë qindra-mijëra, në mos më shumë shqiptarë. Nuk do të thotë se ky migrim do të jetë patjetër gjë e keqe për këto shoqëri, por mohimi i një realiteti nga ana e Kryeministrit Rama është qëndrim i gabuar dhe i papërgjegjshëm.

Në intervistë Kryeministri Rama nuk ndalet tek çështjet që lidhen me Shqipërinë, por ai nuk nguron t’i predikojë dhe moralizojë britanikët për zgjedhjet e tyre, madje e bën këtë pa shumë takt dhe përtej kufijve të mirësjelljes dhe diplomacisë:

“Unë nuk mund ta imagjinoj se si një shoqëri kaq e mrekullueshme sikurse është shoqëria Britanike mund të përfshihet në këtë lloj debatesh fëmijërore.”

“Duket shumë e çuditshme që vendi i Winston Çurçillit, një nga shoqëritë më të shkëlqyera në botë… diskuton për t’u larguar apo për të mbetur në BE dhe po harron gjërat thelbësore në këtë debat – që BE u imagjinua dhe faturua si një projekt i madh i paqes, sigurisë dhe përparimit…”

Ajo që nuk kupton dot Zoti Rama, me sa duket, është se njerëzit e lirë kanë të drejtë të mendojnë ndryshe nga udhëheqësit, se liri do të thotë të mendosh ndryshe edhe nga Çurçilli dhe të kërkosh gjëra të ndryshme nga Çurçilli. Zoti Rama nuk kupton se britanikët kanë të drejtë të jetojnë në një shoqëri sikurse ata e gjykojnë vetë në lirinë e tyre.

Por gjëja kryesore që ai nuk kupton është se një shoqëri e shkëlqyer si Britania nuk ka nevojë për BE-në për të qenë shoqëri e shkëlqyer. BE mund të ndihmojë deri diku në mirëqenien e saj, por shoqëria britanike është shoqëri e aftë të jetojë në liri, demokraci dhe përparim pa pritur që kjo gjë t’i vijë nga jashtë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>