Në intervistën e para dy ditëve në Top Story, Kryeministri Rama nuk shprehu shqetësim për emigrimin e qytetarëve drejt Gjermanisë.
Ai ripërsëriti pretendimin se shumica e atyre që kërkojnë azil në Gjermani janë emigrantë shqiptarë në Greqi, të cilët po largohen prej andej për shkak të krizës.
Për të mbështetur këtë konkluzion, ai deklaroi se shumica e shqiptarëve që mbërrijnë në Gjermani kanë si pikënisje aeroportet greke, veçanërisht atë të Selanikut.
Kryeministri pranoi se ka shqiptarë që banojnë në Shqipëri që po tentojnë emigrimin në Gjermani. Por ai “fajësoi” Gjermaninë për nxitjen e këtij emigrimi.
Ai u shpreh se emigrimi filloi menjëherë pasi Gjermania bëri të ditur nevojën e madhe për krah pune në profesione të caktuara. Sipas Kryeministrit, ky njoftim i Gjermanisë u keqkuptua ose u manipulua nga persona të caktuar për të nxitur emigrimin.
Mesatarisht rreth 5 mijë shqiptarë në muaj kërkojnë azil në Gjermani. Ne jemi grupi i dytë më i madh për nga numri i azilkërkuesve pas sirianëve.