Kryeministrja britanike Theresa May dha sot dorëheqjen si kryeministre dhe si kryetare e Partisë Konservatore. Ajo do të largohet zyrtarisht nga zyra më 7 qershor. Këtë njoftim May e bëri publik përmes një deklarate për shtyp.
Duke folur në Doening Street, e përlotur, Theresa May tha se ishte “nderi i jetës së saj” që ka shërbyer si kryeministrja e dytë femër e Britanisë së Madhe.
May renditi një sërë arritjes së qeverisë së saj tre-vjeçare, por pranoi se “do të mbetet gjithnjë një peng për të që nuk arriti të përmbushë marrëveshjen Brexit, për daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian.”
Dorëheqja e kryeministres May vjen pas një periudhe presioni ndaj saj si nga qytetarët e opozita, ashtu dhe nga anëtarët e qeverisë së saj, për mos gjetjen e një konsensusi me parlamentin për marrëveshjen Brexit. Dy ditë më parë, ministrja e ngarkuar për marrëdhënie me parlamentin Andrea Leadsom dha dorëheqjen sepse “nuk besonte më se qeveria ishte në gjendje të zbatonte Brexit, ashtu siç kanë vendosur qytetarët britanikë në referendumin e 2016-ës.” Ndërsa në total, në dy vitet e fundit rreht 10 ministra të kabinetit të May kanë dhënë dorëheqjen.
Megjithëse në pesë muajt e fundit, parlamenti britanik ka refuzuar tri herë marrëveshjen Brexit, May ka marrë dakordësinë e BE-së për të shtyrë afatin për arritjen e një marrëveshje deri më 31 tetor 2019. Brenda kësaj datë, Mbretëria e Bashkuar duhet të dalë nga Bashkimi Europian, edhe nëse nuk arrihet një marrëveshje.