Referendumi britanik për daljen nga BE është përfundimtar. Kështu ka pohuar, sot, Kryeministri britanik David Cameron përpara anëtarëve të parlamentit, duke theksuar se ai nuk planifikon të thërrasë një referendum të dytë mbi këtë çështje.
“Qeveria duhet të pranojë rezultatin që vendosi populli britanik dhe tani duhet të vazhdojë të punojë për ta konkretizuar atë në praktikë,” u shpreh ai.
Zoti Cameron informoi se qeveria e tij do të fillojë të punojë në këtë drejtim, por vendimin kryesor për të formalizuar daljen do ta marrë kryeministri i ri. Të nesërmen e referendumit, Zoti Cameron—i cili kërkoi mbajtjen e referendumit dhe ishte udhëheqësi i fushatës pro BE-së—shpalli dorëheqjen e tij që do të zbatohet në muajin tetor.
Kryeministri Cameron u shfaq i qetë dhe madje në humor para deputetëve, duke dhënë kështu një mesazh qetësues për të gjithë. Ai madje bëri shaka duke thënë se “mendoja se po kaloja një ditë të keqe deri kur pashë përmasat e grushtit kundër [udhëheqësit të opozitës] Corbyn.”
Kryetari i laburistëve Jeremy Corbyn është nën akuza se ka bërë lojë të dyfishtë duke minuar në fshehtësi fushatën pro qëndrimit në BE që ka qenë qëndrimi zyrtar i partisë laburiste për referendumin. Për këtë arsye shumë laburistë kanë kërkuar dorëheqjen e tij nga kreu i partisë, ndërsa një numër i madh kanë drejtuesish të lartë kanë dhënë dorëheqjen në shenjë proteste ndaj tij.