Kryeprokurorja e Tiranës, Elizabeta Imeraj u shpreh se rihapja e hetimeve për ngjarjet e 21 janarit nuk ka prapavijë politike por lidhet me veprime të policisë të cilat kanë përfunduar së kryeri pasi dosja ishte pezulluar.
Në një intervistë në “Opinion”, Imeraj sqaroi se rihetimi do të kryhet për pjesën e dosjes që ishte pezulluar dhe që i ishte referuar policisë për veprime që ajo duhet të ndërmerrte.
Prokuroria e Tiranës rihapi në 25 maj hetimet për vrasjen e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës, më 21 janar 2011, në Bulevardin ‘Nënë Tereza’.
“Nga ana e organeve të policisë është bërë një listim i detajuar i veprimeve që mund të kryhen dhe që nuk ka qenë e mundur të bëhen në periudha të caktuara dhe në argumentimin e plotë, prokuroria në rrethana të reja ka vendosur rifillimin e hetimeve”, u shpreh Imeraj.
Imeraj theksoi se nuk do të ketë një rihetim të fakteve të kësaj ngjarjeje por synohet gjetja e autorit përgjegjës për humbjen e jetës së dy protestuesve.
E pyetur mbi dosjen e vrasjes së bankierit Artan Santo, Imeraj u tregua e rezervuar duke mos dashur të cenojë sekretin hetimor.
Ajo tha se rihetimet për një dosje nuk nisin asnjëherë nëse nuk ka element të rinj që mund të çojnë në zbardhjen e ngjarjes.
Kryeprokurorja e Tiranës iu përgjigj edhe akuzave të përfaqësuesit të ONM-së, Theo Jacobs se ka vënë nën përgjim kolegun e tij Hans Kijlstra, gjatë procesit të vetingut ndaj saj.
Imeraj u shpreh e gatshme që të hetohet për këto akuza të cilat i quajti të bazuara mbi “letra të sajuara”.