Kryetari Gramoz Ruçi anulon seancën e parlamentit para protestës

Kryetari Gramoz Ruçi anulon seancën e parlamentit para protestës

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi anuloi seancën e nesërme të parlamentit. Ai tha se kjo do të shmangte mundësinë “për të nxirë për herë të dytë imazhin e Shqipërisë”.

Kryetari Gramoz Ruçi u shpreh i shqetësuar për ndikimin e protestës së fundjavës së shkuar tek turistët dhe investitorët e mundshëm:

“Pamjet e trishtueshme në godinën e qeverisë të gjithë e pamë se bënë xhiron e botës. Kush nuk na do të mirën si vend, fërkoi duart. Kush na ka mbështetur e mbështet e ndihmuar pa dyshim është ndjerë keq. Ndërsa kush ka bërë plane për pushim, padyshim që është stepur. Këto pamje nuk janë inkurajuese as për investitorët e as për konsumatorët.”

Ai shtroi një sërë pyetjesh retorike për opozitën në fjalën e tij, nga pozicioni i “garantit të palëve në kuvend”. Ruçi pyeti se si mundet vallë “opozita të braktisë detyrën dhe të lërë zgjedhësit e saj pa zë në tempullin e demokracisë, që është parlamenti”.

Ruçi u shpreh “seriozisht dhe sinqerisht i shqetësuar” që opozita “është bërë objekt i mesazheve tejet kritike të partnerëve strategjikë si SHBA dhe BE.”

Gjithashtu, ai tha se “nëse opozita ka vendosur t’i bjerë murit me kokë, me idenë se do të ndalë reformat e këtij vendi, duke nisur nga ajo në drejtësi, kjo është ekskluzivitet i saj”.

Gramoz Ruçi e njoftoi vendimin e tij para pak minutash, pa u dhënë mundësi gazetarëve për pyetje.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>