Kryetari i Gjykatës së Apelit Durrës Petrit Ceno u përball me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK) ditën e djeshme.
ILDKPI dhe KPK paraqitën raporte negative për pasurinë e gjyqtarit Ceno, me pasaktësi në deklarim, fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë.
Zoti Ceno nuk kishte paraqitur dokumente për të ardhurat e bashkëshortes deri në vitin 1997, të cilat kishin shërbyer pjesërisht si burim për blerjen e një apartamenti 98 m2 + garazh, një apartamenti 79 m2 në Golem, si dhe kishte mospërputhje në deklarime për një apartament 144 m2 dhe një garazhi në Tiranë. Komisioni i vetingut ngriti dyshime edhe për përfitimin e bashkëshortes së tij të 5775 metrave tokë në Shkallnuer të Durrësit, një pjesë e së cilës iu dha më pas një kompanie ndërtimi në këmbim të 23% të sipërfaqes së ndërtuar. Lidhur me kompaninë ndërtuese LL.01, Çeno rezultoi në konflikt interesi për shkak se nuk kishte hequr dorë nga gjykimi i një çështjeje ku kjo kompani ishte palë.
Komisioni zbuloi dhe një listë pasurish të padeklaruara, të tilla si një tarracë 150 metra, ku më pas ishte ndërtuar një papafingo, përfitimin e një trualli nga ALUIZNI, paqartësinë me një kredi 80 mijë euroshe të kaluar në llogarinë e kompanisë minerare të djalit të gjyqtarit Ceno, si dhe aksionet e tij në tre kompani tregtare.
Gjyqtari Ceno kishte mungesë burimesh financiare në vlerën prej 3.4 milionë lekësh.
Gjatë seancës dëgjimore gjyqtari Ceno u përfaqësua nga avokati dhe vajza e tij. Ata u shprehën të pakënaqur me hetimin, sipas tyre, jo të thelluar të KPK-së. Vajza e gjyqtarit Ceno iu referua precedenteve të mëparshme të Komisionit në lidhje me mosdeklarimin dhe fshehjen e pasurisë.
Në lidhje me mosdeklarimin e të ardhurave, zonja Gloria Ceno solli në vëmendje rastin e Donika Prelës. Sipas saj, mungesa prej 3.4 milionë lekësh rezultonte nga përjashtimi i 6.2 milionë lekëve të të ardhurave të nënës së saj nga puna si doganiere në vitet 1993-1996. Ajo kërkoi të ardhurat e nënës së saj të merreshin të mirëqena, bazuar në precedentin e Donika Prelës, bashkëshorti i së cilës nuk kishte deklaruar të ardhurat, por sërish komisioni i vetingut e konfirmoi atë në detyrë.
Ndërkohë, sa i përket fshehjes së pasurisë, zonja Ceno solli në kujtesë të KPK-së vendimin për Kryetarin e Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, i cili kishte kryer evazion fiskal dhe nuk kishte burime të ligjshme të pasurisë, por sërish e kaloi vetingun.
Vendimi për gjyqtarin Petrit Ceno do të jepet më 27 shkurt.